Shoqata e qumështarëve mirëpret vendimin e MTI-së dhe shpreson që do të zgjasë

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e qumështarëve ka mirëpritur vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse prej 10% për importin e produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja dhe Hercegovina.

Me këtë rast, kjo shoqatë u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut.

Komunikata e plotë:

“Lajmi i djeshëm që Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë ka vendosur masë mbrojtëse prej 10% importin e produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina, është lajm i gqzueshëm për të gjithë qumështarët e vendit.

Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe jemi të gëzuar që zëri jonë më në fund është dëgjuar.

Falenderojmë këtë ministri dhe ministrin Shala për angazhimin që ka treguar kohëve të fundit në këtë drejtim dhe presim edhe vendime tjera me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore.

Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe institucioneve tjera përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të kryejnë obligimin e vet ligjor dhe të na krijojnë hapësirë për punë.

Megjithatë, duke pasur parasysh frikën nga përvoja e mëhershme, kur një vendim i MTI-së për masë mbrojtëse të prodhimeve të qumështit ndaj importit nga Bosnjë dhe Hercegovina nuk zgjati më shumë se një javë, ne shpresojmë fuqishëm që ministri Shala do t’u qëndrojë presioneve dhe ky vendim të mbetet në fuqi deri në përmbushjen e plotë të reciprocitetit tregtarë me këto dy vende”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme