Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga partitë politike në vend që të ndalin presionin ndaj kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakës.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile iu bëjmë thirrje partive politike që të ndalojnë presionin dhe sulmet ndaj Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe ta lënë të lirë këtë institucion që të bëjnë punën e tyre sipas dispozitave ligjore dhe kushtetuese. KQZ bën zbatimin e ligjit, dhe kushdo që ka pakënaqësi duhet të ndjekë rrugët ligjore ndaj këtyre vendimeve, dhe jo të bëjnë presion përmes deklaratave publike” thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
Ne, organizatat e shoqërisë civile iu bëjmë thirrje partive politike që të ndalojnë presionin dhe sulmet ndaj Institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dhe ta lënë të lirë këtë institucion që të bëjnë punën e tyre sipas dispozitave ligjore dhe kushtetuese. KQZ bën zbatimin e ligjit, dhe kushdo që ka pakënaqësi duhet të ndjekë rrugët ligjore ndaj këtyre vendimeve, dhe jo të bëjnë presion përmes deklaratave publike.
KQZ i merr vendimet ne kolegjium nga të gjithë anëtarët, që përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë: nga Kryesuesi dhe dhjetë (10) anëtarë të tjerë të cilët emërohen si rezultat i nominimeve, të gjashtë (6) grupeve parlamentare më të mëdha të Kuvendit të Kosovës dhe, katër (4) anëtarë që përfaqësojnë komunitetet e vogla në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është themeluar në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës, dhe është një organ i përhershëm i pavarur. KQZ si institucion funksionin dhe detyrat e tij i ushtron në përputhshmëri me Ligjin nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës. Poashtu me rregullat zgjedhore të Komisionit Qendror të zgjedhjeve i cili është miratuar me datën 02.07.2013.
Andaj, vendimet nuk janë individuale të kryesueses së komisionit znj. Valdete Daka, pasi që KQZ si institucion ka dërguar listat me kandidat të subjekteve politike në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ku ka marrë përgjigje nga ky institucion për personat të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit, në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhje.
Mbi të gjitha, KQZ ende nuk ka marr vendim, andaj kjo nënkuptohet si presion për të ndikuar në vendimmarrjen e institucionit.
Prandaj, organizatat e poshtëshënuara u bëjnë thirrje partive politike që të ndalin presionet dhe gjuhën që mund të qojë drejt kërcënimeve dhe sulmeve ndaj organeve të pavarura kushtetuese dhe drejtuesve të tyre.