Shoqëria Civile me platformë për kryetarin e ardhshëm të Prishtinës

Prishtinë | 21 Sht 2017 | 10:55 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) me mbështetje nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) kanë prezantuar “Platforma e Shoqërisë Civile për Prishtinën 2017-2021”.

Dokumenti ofron rekomandime për platformat politike të kandidatëve për zgjedhjet për kryetar të komunës. Kjo platformë është vazhdim i platformës së hartuar në vitin 2014, ku kishin kontribuuar rreth 60 ekspertë, raporton Ekonomia Online.

Ndërkaq, platforma e tanishme ka për qëllim t’i shërbejë debatit zgjedhor dhe t’u ofrojë kandidatëve një pasqyrë të problemeve të qytetarëve dhe hapave që priten të ndërmerren në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së Prishtinës.

Kjo platformë synon të kontribuojë kështu edhe në procesin e hartimit të programeve politike të partive garuese në zgjedhjet për kryetar të komunës së Prishtinës.

Drejtori Ekzekutiv i INDEP-it, Burim Ejupi, tha se të pasurit të një platforme të përbashkët që do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave të kandidatëve për udhëheqjen e Prishtinës.

Ai po ashtu tha se ata do të kenë edhe takime individuale me secilin kandidat për t’ua prezantuar platformën dhe për të avokuar që kjo platformë të integrohet në hartimin e politikave të tyre.

Besa Luzha, koordinatore e programit në zyrën e FES-it në Kosovë, tha se shoqëria kosovare ka nevojë për qytetarë aktivë që janë të tillë jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por në të gjitha 365 ditët e vitit.

Luzha tha se pamarrë parasysh profesionin, gjininë apo moshën, qytetari duhet të jetë aktiv në mbikëqyrjen e atij personi të cilit ia ka dhënë votën, jo vetëm përmes kritikës por edhe përmes angazhimit të tij në diskutime duke kërkuar që jeta e komunitetit ku ai jeton dhe vepron të jetë më e mirë.

Kjo platformë, sipas saj, përveç hulumtimit të opinionit publik, është edhe përmbledhje e të gjithave punëve që janë bërë tashmë nga organizatat joqeveritare që kanë avokuar vazhdimisht për ndryshim të politikave kundrejt përmirësimit të jetës në Prishtinë.

Dardan Abazi nga instituti INDEP, e prezantoi platformën dhe të gjeturat e hulumtimit të opinionit publik dhe rekomandimet e dala nga intervistat me ekspertët e fushave përkatëse.

Kjo platformë përfshin rekomandime për fushën e arsimit, zhvillimit ekonomik, shëndetësisë, shërbimet publike, urbanizmit dhe zhvillimit urban.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se shoqëria civile është më se nevojshme për punën e përmirësimit të jetës në Prishtinë.

Ai foli për të gjeturat e hulumtimit dhe tha se nganjëherë kompetencat nuk janë mirë të sqaruara për opinionin publik dhe komunës i vihet përgjegjësia për shumë çështje për të cilat nuk komuna ose nuk i ka kompetencat ose i ka të ndara me organet e tjera qeverisëse.

Në fund, Ahmeti u uroi garë fer të gjithë kandidatëve për Prishtinën duke thënë se duhej fokusuar në problemet kryesore që gjenden në Prishtinën dhe se pa marrë parasysh se kush del fitues në fund, asnjë opsion nuk është tragjik, por me rëndësi është, sipas Ahmetit, që Prishtina i ka predispozitat për t’u zhvilluar.

Kurse kandidati i partisë Alternativa, Rifat Deri, theksoi rëndësinë e informacioneve shtesë dhe presionit që u jep shoqëria civile kundrejt realizimit të punës së tyre.

Sipas tij, rekomandimet dhe të gjeturat e punimit shërbyen si orientues rreth asaj se cilat janë preokupimet kryesore të qytetarëve.

Deri tha se partia e tij tashmë e ka platformën për qeverisjen e Prishtinës dhe do ta prezantojë për publikun. Ai tha se ata janë fokusuar në disa pika që janë esenciale për përmirësimin e jetës në Prishtinë.

Sipas Derit vota e qytetarit është sfidë për punën që duhet të bëhet për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai tha se pa marrë parasysh se kush do ta marrë udhëheqjen e Prishtinës, partia e tij do të bashkëpunojë me të gjitha partitë e tjera për t’i shtyrë përpara proceset e nevojshme.

Kjo platformë është hartuar duke pasur për bazë hulumtimin e opinionin publik, ku përmes anketimit të 600 qytetarëve janë identifikuar problemet që i preokupojnë më së shumti qytetarët e kryeqytetit.

Të ngjashme