Shoqëria civile në mbrojtje të lumenjve në Rahovec

Prishtinë | 28 Shk 2017 | 15:58 | Nga

Me moton “Lumenj të pastër-jetëgjatësi për të gjithë”, shoqëria civile në Rahovec ka ndërmarrë veprime për të parandaluar shkatërrimin dhe ndotjen e rrjedhave ujore në Rahovec, Fortesë dhe Sopniq.

Pas vlerësimeve të bëra se lumenjtë Duhllo dhe Rimnik në Rahovec, lumi Bellaja në Fortesë dhe përroi në fshatin Sopniq, i janë nënshtruar një degradimi sistematik, ndërsa hedhja e mbeturinave në këto ujëra po ndikon rrezikshëm në florë dhe faunë.

Kështu, Këshilli Rinor i Rahovecit, ka ndërmarrë një mori veprimesh konkrete duke biseduar me banorë të zonës, përgjegjës të fshatrave e lagjeve të qytetit, si dhe me autoritetet komunale përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, për të sensibilizuar për nevojën e mbrojtjes së rrjedhave ujore.

Tejmbushja me mbeturina të ngurta dhe mbetje urbane po shkakton edhe përmbytje të zonave të banuar, fenomen ky i shprehur më të rëndi në fshatin Fortesë dhe në disa lagje të qytetit të Rahovecit.

Projekti mbështetet nga organizata “CRESSIDA, REC-Kosova, dhe ka për synim të bëjë: – Identifikimin e shkaktarëve të ndotjes së ujërave, hartimin dhe publikimin e metodave mbrojtëse të shtretërve të lumenjve, adresimin e shkaktarëve degradues tek organet kompetente vendore dhe ndërkombëtare, diskutimi i problemeve të identifikuara përmes tryezave, si dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e përmbytjeve (vërshimeve) eventuale.

Prandaj, Këshilli Rinor i Rahovecit fton për bashkëpunim qytetarët, nxënësit, shoqërinë civile dhe autoritetet lokale e qendrore, që të bashkohen në këtë projekt për të mbrojtur rrjedhat ujore, në mënyrë që të kemi jetë më të shëndetshme dhe më të gjatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme