Shoqërohet në polici organizatori i dasmës në Pejë gjatë kohës së përhapjes të Coronavirusit

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Organizuesit të dasmës në Pejë, gjatë kohës që në Kosovë filloi përhapja e virusit të njohur si Covid -19, i është hapur rast në Prokurorinë Themelore të Pejës për veprën penale “mosveprimi sipas dispozitave ligjore gjatë epidemisë”.

Këtë e ka konfirmuar, për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i Prokurorisë në fjalë, Ersan Qavolli.

Qavolli tha se personi në fjalë është shoqëruar në polici për të dhënë deklaratë, ndërsa më pas është liruar në procedurë të rregullt.Ai shtoi se kishin marrë në pyetje edhe kameramanin dhe kishin sekuestruar një video incizim.

“Është hapë rasti për veprën penale “mosveprimi sipas dispozitave ligjore gjatë epidemisë”. Kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi hap rast, e kemi marrë në pyetje një dëshmitar dhe kameramanin e sekuestruar edhe video incizimin. Personi është shoqëruar në polici, ka dhënë deklaratë dhe është liruar në procedurë të rregullt”, tha prokurori Qavolli.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepra penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, është e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”.

Të ngjashme