ShOTL-ja kërkon pezullimin e hapjes së terminalit të ri

Prishtinë | 02 Dhj 2016 | 09:52 | Nga

Shoqata e Operatorëve të Terminaleve të Licencuara (ShOTL), ka reaguar lidhur me vendimin e e Doganës për hapjen e terminalit të ri doganor.

Kjo shoqatë kërkon nga ministri i Financave, Avdullah Hoti që të ushtrojë të drejtën ligjore për të pezulluar vendimin e pamatur të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Doganës dhe të rregullojë situatën e krijuar.

Reagimi i plotë i ShOTL-së:

Shoqata e Operatorëve të Terminaleve të Licencuara (SHOTL), e cila funksionon si shoqatë e regjistruar në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, me rastin e situatës së re të krijuar pas vendimit të Doganës për hapjen e zyrës së re doganore në Prishtinë, duke iu referuar komunikatës zyrtare të Doganës së Kosovës, nxjerr këtë:

Në komunikatën e datës 30.11.2016, Dogana e Kosovës arsyeton vendimin për hapjen e terminalit të ri doganorë në Prishtinë mbi baza të faktit se kompania që ka aplikuar për këtë lejim posedon licencën valide të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës, si shoqatë dëshirojmë të potencojmë se ne në vazhdimësi kemi adresuar tek të gjitha institucionet relevante që trajtimi i kërkesave të reja për hapjen e terminaleve doganore të bëhet konform legjislacionit në fuqi.

Pikërisht UA 5/2015 në nenin 2 të saj ka të specifikuar se licenca e lëshuar nga Ministria Infrastrukturës sipas këtij udhëzimi nuk nënkupton dhe nuk obligon Doganën që të angazhoj resurse shtesë për hapjen e zyrave te reja doganore posaçërisht përderisa kapacitetet e terminaleve që janë operacionale janë ende të pashfrytëzuara.

Duke pas parasysh se vendimi për hapjen e terminalit të ri është miratuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit Doganës, kërkohet nga Ministri i Financave që konform nenit 6 pikës 8 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të ushtroj të drejtën ligjore për të pezulluar vendimin e pamatur të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Doganës dhe të rregulloi situatën e krijuar.

Si shoqatë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave tona ligjore dhe mbrojtjes së investimeve, jemi detyruar që të angazhojmë zyra ligjore vendore dhe ndërkombëtare, zyra këto që i kemi angazhuar për shqyrtimin e gjithë dokumentacionit dhe në rast nevoje do jemi të shtyrë që të ndërmarrim masa ligjore për të mbrojtur interesat tona. Shpresojmë që institucionet kompetente do shqyrtojnë me kujdes pretendimet tona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme