Deputetët e Kuvendi të Kosovës me 89 vota pro, 1 abstenim e 2 kundër kanë marrë vendim për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, raporton Ekonomia Online.
Deputetët e LDK-së fillimisht kërkuan të kenë diskutim para shpërndarjes së Kuvendit.
Por, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se tashmë është koha për votim dhe jo për të bërë fushatë zgjedhore.
“Vendimi ynë që për ta kryer ketë pune sa me shpejtë secili grup parlamentar te shprehë mendimet e grupit dhe ta kryejmë e jo të dëgjojmë 80 fjale Kuvendi duhet shpërndarë menjëherë e jo tani të bëjmë fushatë zgjedhore që të shtyjnë shpërndarjen, ne si PDK duam ta shpërndajmë Kuvendin menjëherë tash”.
Edhe deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se kanë fol mjaftueshëm dhe se kërkoi të shkohet në votim.
“Kemi fol mjaftueshëm, mendoj se grupet parlamentare mund të flasin në emër të partive dhe të shkojmë ne zgjedhje”.
Shpërndarjen e Kuvendit pa debat e kërkoi edhe deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu.
“Duhet shkuar sa më shpejtë në shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet janë zgjidhja”, tha ai.
Bilall Sherifi nga NISMA, Albert Kinolli nga 6+ dhe Islam Pacolli nga AKR-ja po ashtu kërkuan qe të mos ketë debat dhe te shpërndahet Kuvendi.
Por krye i Kuvendit, Kadri Veseli, vendosi të shkoj në votim për shpërndarjen e Kuvendit pavarësisht insistimit të LDK-së për debat.
Deputetët gjithashtu votuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).
Legjislatura e gjashtë, u karakterizohet për mungesa të kuorumit, ajo konstitua më 3 gusht të vitit të 2017.
Me shpërndarjen e Kuvendit i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas dorëheqjes së kreut të Qeverisë Ramush Haradinaj pasi ai u ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.
“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë ditë pas shpërndarjes”.