Shpërthimet e fundit do ta ndihmojnë Erdoganin që t’i japë më tepër pushtet vetes

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 14:12 | Nga The Economist

Rexhep Tajip Erdogani do që të ndryshojë kushtetutën për të prurë regjimin me një dorë të vetme.
Sulmuesi i parë me bombë po drejtonte një automjet të ngarkuar me afro 400 kg eksploziv dhe u afrua deri fare pranë stadiumit të Stambollit, derisa gjendej përballë një makine policie në patrullë. I dyti e aktivizoi jelekun e tij vetëvrasës vetëm një minutë më pas, i rrethuar nga forcat policore në një park aty pranë.

Shpërthimet e 10 dhjetorit, dy të fundmit në një valë sulmesh terroriste që filluan në verën e vitit 2015, u morën jetën të paktën 44 njerëzve, mes të cilëve gjendeshin edhe shumë civilë që po bënin shëtitjen e mbrëmjes të së shtunës dhe do të ktheheshin nëpër familjet e tyre. Shpërthimi i parë ishte kaq shumë i fuqishëm saqë zjarrfikësit gjetën pjesë të trupit njerëzor edhe nëpër tarracën e stadiumit. Autorësinë e mori përsipër një grup i ashtuquajtur Fajkonjtë e Lirisë së Kurdistanit, i cili konsiderohet si një grup pararojë i Partisë së Punëtorëve Kurdë (PKK).

Ndërkohë që demonstruesit e nervozuar pushtuan rrugët, qeveria turke u zotua se do ta shfaroste PKK-në njëherë e mirë nga faqja e dheut, diçka që e kanë premtuar edhe paraardhësit e tyre që prej vitit 1984, kur edhe ky grupim shpalli organizimin e tij në juglindje të vendit, mirëpo askush syresh nuk ia ka dalë dot deri më sot. Avionët luftarakë turq sulmuan një varg bazash të PKK-së në veri të Irakut. Policia ka arrestuar mbi 500 njerëz, disa thjesht për arsyen se kanë shpërndarë mesazhe pro-PKK në rrjetet e tyre sociale, si dhe ka arrestuar edhe dy deputetë prej partisë pro-kurde të Demokracisë Popullore. Ndërkohë që dhjetë deputetë të tjerë të kësaj force politike, përfshi këtu edhe bashkëkryetarin e saj dhe ish-kandidatin për president në zgjedhjet e fundit presidenciale, Selahattin Demirtash, gjenden të arrestuar që prej fillimit të muajit nëntor.

Rexhep Tajip Erdogani, presidenti i Turqisë, deklaron se mundësia e vetme për t’i bërë ballë kaosit që ka kapluar vendin është që ai ta marrë gjithë pushtetin ekzekutiv në duart e tij. Vetëm pak orë para shpërthimeve, kryeministri Binali Jëlldërëm, bëri publik një përpilim të amendamenteve që do ta bënin të mundur këtë ndryshim në kontrollin e pushteteve në vend. Ndryshimet do të kalojnë në hije kryeministrin, duke formuar një presidencë ekzekutive dhe duke i dhënë z. Erdogan autoritetin për të zgjedhur vetë administratën e lartë, të vijojë edhe më rëndë gjendjen e emergjencës dhe të nxjerrë dekrete që nuk kërkojnë pjesëmarrjen e askujt tjetër. Me sa duket, u duhet që të bëjnë një pastrim të mirë në parlament para se të kalojnë në një referendum popullor gjatë pranverës së ardhshme.

Zyrtarë nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim deklarojnë se masat e kësi-sojshme do t’u paraprijnë mosmarrëveshjeve mes presidentëve dhe kryeministrave të vendit. Ndërsa kritikët shprehen se është tejet e vështirë të imagjinosh se ç’mosmarrëveshje mund të ketë mes tyre: Erdogan zaten qeveris pa iu nevojitur as opinioni i ndokujt tjetër. Qëllimi i ndryshimeve kushtetuese, thonë ata, është formalizmi i qeverisjes së vendit nga një dorë e vetme. Nëse këto masa do të hynin në fuqi në vitin 2019, atëherë Erdogan mund ta vazhdojë regjimin e tij autoritar edhe për dy mandate të tjera pesëvjeçare, deri në vitin 2029.

Në teori, për një presidencë ekzekutive, pikë së pari, duhen krijuar kushtet për të qenë e mundur. Aleanca e tij me islamistët dhe nacionalistët është kthyer në një magnet për të gjithë ata që janë galvanizuar prej tentativës për grusht shteti në korrik. Z. Erdogan ka shfaqur një mllef të jashtëzakonshëm pas tentativës për grusht shteti dhe ka ngjallur një frikë të papërshkrueshme tek oponentët e tij në vend, duke qenë se arrestimet e bazuara në dyshime kanë arritur shifrën e 40.000 vetëve, në mesin e të cilëve gjenden plot 100 gazetarë.

Vëzhguesit e huaj dhe opozita politike e cilësojnë këtë lloj sjelljeje si një spastrim për hir të interesave politike. Mirëpo nacionalistët dhe konservatorët e përqafojnë këtë lloj qëndrimi, duke qenë të bindur se Turqia po përballet me një rrezik për ekzistencë nga një varg puçistësh të lidhur pas fuqive të huaja. Disa syresh akuzojnë lëvizjen Gylen, një lëvizje islame që besohet se kanë qenë të përfshirë në tentativën për grusht shteti; disa të tjerë i shtojnë edhe më tepër notat e konspiracionit, duke përfshirë në të edhe Gjermaninë, Amerikën apo Britaninë.

Megjithatë, Erdogan duket sikur ende po përballet me erëra të përkundërta. Ekonomia e tkurrur me 1.8 % në tremujor-shin e tretë, që tregon edhe performancën më të keqe qysh prej recesionit në vitin 2009. Lira turke është duke provuar thellësi të reja; qeveria i ka bërë thirrje masave të popullit që të dalin në mbështetje të monedhës së tyre duke e shitur valutën e tyre në dollarë dhe në euro që kanë në gjendje. Ndërkohë që mbështetja për një presidencë ekzekutive lundron ende në ujërat nën 50 %.

Erdogan i këndet shumë që ta paraqesë veten si kurën e vetme për kaosin e përhapur në mbarë vendin, mirëpo ai është poende edhe një ndër shkaktarët kryesorë të gjithë ç’është duke ndodhur. Duke pasur nevojë herë pas here për votat e nacionalistëve, Erdogan ka nxjerrë jashtë funksioni bisedimet e paqes me PKK-në. Duke iu përgjigjur sulmeve të PKK-së ndaj sigurisë së vendit në 2015 e nxitën atë që të shkaktonte një tjetër konflikt duke arrestuar politikanët kurdë, duke spastruar rrethina të tëra në juglindje të vendit dhe duke zhvendosur deri në 500.000 civilë nga vendbanimet e tyre. Kjo ofensivë ka shkaktuar një vlug të ashpër në radhët e PKK-së kurde, duke shtyrë natyrisht edhe shumë të rinj kurdë që ta gjejnë tek armët mundësinë e vetme për ta jetësuar shpresën ose mungesën e saj.

Jo më larg se brenda këtij viti, një ndër liderët e PKK-së doli haptas duke deklaruar se grupi i tij ka si qëllim rrëzimin e qeverisë së Erdogan. Kurse tani rreziku ngjan më i madh. Përvoja ka treguar se armiqtë kryesorë të  Erdogan vjen një ditë dhe kthehen në ndihmësit e tij më të thekur. Megjithatë, tani, në popull, si turq si kurdë, të gjithë janë duke vajtuar për njerëzit e tyre të dashur që janë ndarë padrejtësisht nga jeta.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme