Shqipëria nis fushatën për anëtarësim në Këshillin e Sigurimit

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 15:17 | Nga

Shqipëria shpreson të bëhet anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh se ka nisur fushata e komunikimit me vendet partnere për të përmbushur këtë objektiv të politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Shqipëria vjen me ambicien e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme”, nënvizoi ministri Bushati.

Bushati ndodhet në Nju Jork në punimet e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKBS-së ku tema e këtij viti është “T’i vëmë Kombet e Bashkuara në shërbim të popujve, udhëheqje globale dhe ndarje përgjegjësish për shoqëri paqësore, të barabarta dhe të qëndrueshme”. Ministri tha se takimi mbahet në një moment shumë të rëndësishëm kur multilateralizimi dhe bashkëpunimi anë e mbanë botës janë vënë si rrallëherë në pikëpyetje. Kësisoj kërkohet që Organizata e Kombeve të Bashkuara jo vetëm të jetë më e pranishme në zonat e konfliktit por edhe të garantojë zbatimin e programeve zhvillimore që zbusin hendeqet mes rajoneve të caktuara të globit. Shqipëria mbështet gjithashtu reformën e OKB-së e cila synon dhe pritet që ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara duke e bërë më pak burokratike dhe duke iu përgjigjur sfidave të një bote e cila duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Nju Jork, ministri Bushatipati disa takime bilaterale. Kështu ai u takua me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Ai u takua gjithashtu me homologen nga Ruanda, Luise Mushikiëabo, Ministrin e Jashtëm të Shtetit të Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, ministrin e Jashtëm të Gambias Mamadou Tangara, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë Tudor Ulianovschi. Në këto takime u diskutua mbi bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe mbështetja e ndërsjellë duke nënvizuar vullnetin dhe interesin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme