Shqipëria nuk gjen rehati, përhapet me shpejtësi zjarri pranë plazhit të Tales

Prishtinë | 05 Kor 2026 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër vatër zjarri i është shfaqur në zonën me kallamishte pranë plazhit të Tales, në Lezhë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme.

Flakët janë të favorizuara nga era e fortë, ku janë përhapur me shpejtësi përgjatë vijës bregdetare, duke djegur një sipërfaqe që shtrihet nga rreth 500 metra deri në afërsisht 1 kilometër.

Në terren kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Lezhës, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të papërshtatshëm.

Prania e kënetave mes plazhit dhe zonës së përfshirë nga flakët e bën të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës së zjarrit.

Pranë zonës së prekur ndodhen edhe disa struktura turistike dhe shërbimi.

Për këtë arsye, ekipet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri pranë tyre, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme në rast se flakët avancojnë dhe rrezikojnë objektet.

Agustin Pepkolaj, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit u shpreh për mediat se është bërë e mundur që automjetet e shërbimit zjarrfikës të jenë prezent.

“Zjarri është i përhapur në gjithë territorin. Edhe pse era është favorizuese, kemi bërë të mundur që të mos jetë në rrezik asnjë biznes apo banesë. Kemi mundur të lokalizojmë flakët“, tha ai./TCh

Të ngjashme