ShQK: Kosovarët po mashtrohen me produktet e qumështit

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 14:16 | Nga

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (ShQK) ka kërkuar nga organet kompetente për marrjen e menjëhershme të masave për sa i përket pranisë së vajit të palmës në produktet e qumështit. Janë disa kompani në Kosovë që importojnë këtë produkt duke mashtruar konsumatorët.

Shoqata e Qumështorëve njofton se për këtë tashmë ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe disa kompanive.

“Javën e kaluar ne kemi mbajtur një konferencë shtypi ku kemi ofruar fakte, si dhe kemi njoftuar opinionin se kemi ngritur kallëzim penal ndaj AUV dhe disa kompanive që po përdorin vajin e palmës në produktet e tyre, duke mos e deklaruar atë”, thuhet në komunikatën për medie të kësaj Shoqate.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se për shkak të veprimeve të këtyre kompanive tek një pjesë e opinionit është krijuar mendimi i gabuar se të gjitha produktet vendore të qumështit kanë përbërje të vajit të palmës, duke dëmtuar kështu në përgjithësi prodhuesit vendorë.

“Andaj lusim edhe mediat që të kontribuojnë në sqarimin e situatës, duke e cekur vazhdimisht se janë vetëm një pjesë e vogël e prodhuesve vendorë të qumështit që janë duke e përdorur vajin e palmës”.

Me tej thuhet se “për t’i ikur të gjitha këtyre komplikimeve ne edhe një herë u bëjmë thirrje organeve relevante, përfshirë këtu edhe nivelet më të larta për të ndërmarrë masa të menjëhershme të ndalimit të këtij mashtrimi që po u bëhet konsumatorëve për vite të tëra”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme