ShSKUK-ja thotë se dy pacientët s’janë hequr nga lista për dërgim në Turqi, por do të trajtohen në QKUK

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor i Kosovës, ka njoftuar se 2 nga personat e lënduar pas shpërthimit në Ferizaj, s’janë hequr nga lista për trajtim jashtë vendit, por për shkak të shkallës më të ulët të djegies do të trajtohen në QKUK.

Sipas tyre 4 pacientët që janë dërguar në Turqi kanë qenë në gjendje më të rëndë.

Njoftimi i plotë i tyre:

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se, 2 personat e djegur, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në qytetin e Ferizajt, nuk janë larguar nga lista për dërgim në Turqi, por do të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të shkallës më të vogël të djegies.

Katër pacientë, që janë vlerësuar nga profesionistët shëndetësorë, që janë në gjendje më të rëndë, në bazë të sipërfaqes dhe shkallës së djegies, janë dërguar në qendër të specializuar për trajtimin e këtyre pacientëve ne Turqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë vepruar konform konsultave me mjekët profesionistë të fushës dhe nuk e kanë hequr askënd nga lista për trajtim jashtë vendit.

Rastet e kësaj natyre janë trajtuar në QKUK për 20 vjet me radhë, në mënyrë profesionale dhe me sukses të plotë.

Dy pacientët në fjalë, bashkë me pacientët tjerë të lënduar, po marrin trajtimin e vazhdueshëm mjekësor nga profesionistët shëndetësorë të QKUK-së.

Në bazë të vlerësimit të gjendjes nga profesionistët shëndetësorë, do të shikohet mundësia që edhe këta dy pacientë të dërgohen jashtë vendit për trajtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme