Shtetasi serb dënohet me mbi 5 vjet burgim për tri vepra penale

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten, e ka dënuar me dënim unik prej 5 vite e 8 muaj burgim shtetasin serb Srba Antiq, për shtytje për kryerje të veprave terroriste, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.

Në pikën e parë të dispozitivit, ai akuzohet për përgatitje të veprave terroriste ose veprave kundër sigurisë së Republikës së Kosovës, mirëpo kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, deklaroi se gjykata e ka rikualifikuar këtë vepër në shtytje për kryerje të veprave terroriste.

Ai ka thënë se me veprimet e të akuzuarit janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale, për të cilën është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, për mashtrim, Antiq është dënuar me 3 vite burgim e 2,000 euro gjobë, ndërkaq për pikën e tretë të akuzës, atë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 8 muaj burgim.

Më pas, gjykatësi Konxheli deklaroi se ndaj të akuzuarit shqiptohet dënimi unik prej 5 vite e 8 muaj burgim, në të cilin dënim të pandehurit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe atë nga data e arrestimit derisa aktgjykimi ta marrë formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burg.

Dënimi ndaj të akuzuarit do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ai është obliguar që të paguajë në emër të shpenzimeve procedurale paushall prej 150 euro, kurse në emër të Fondit të Viktimave të Krimit shumën në vlerë prej 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Gjithashtu, është obliguar që të dëmtuarve tua kthej shumat e caktuara në dispozitiv të akuzës, të cilat nuk janë kthyer deri në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Gjykatësi Konxheli ka bërë të ditur se të akuzuarit i konfiskohen edhe gjësendet e sekuestruara.

Ndërkaq, meqenëse është shqiptuar dënimi mbi 5 vite, i është vazhduar edhe masa e paraburgimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 1 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Srba Antiq për shkak të veprave penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 par.3 të KPRK-së, “mashtrimi” nga neni 335 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 12 korrik 2018, nga Posta e Serbisë nr.1 në pjesën veriore të Mitrovicës, i akuzuari Srba Antiq, ia ka dërguar një pako të dëmtuarit Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, Komuna e Istogut, e në të cilën pako gjendeshin një pistoletë e tipit “CZ Vzor 50” 7.65 mm, me një karikator me gjashtë fishekë, 11 pako ampula të llojit “tramdalol”, pesë pako me ampula të llojit “trodon”, 18 pako me tableta “bensedin” dhe një pamflet të formatit “A4”, me logo të Serbisë, me titull “Vrhovna Komanda Oslobofilaqke Vojske Kosova i Metohije”.

PSRK-ja pretendon se përmes kësaj pamflete bëhej thirrje për të dëmtuarin dhe qytetarët tjerë serb si: Momir Radenkoviq, Begolub Portiq, Sasha Portiq, Millosh Nedelkoviq, Millan Pavlloviq, Dragana Pantiq etj, që të bartin armë nga depo të ndryshme në Mitrovicë, me qëllim që të ndërmerren sulme dhe të përdorej dhunë fizike ndaj qytetarëve serbë, në mënyrë që para bashkësisë ndërkombëtare t’i fajësojnë shqiptarët.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Srba Antiq akuzohet se nga viti 2017 në vazhdimësi, ka mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes paraqitjes së fakteve të rreme me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka shfrytëzuar situatën e disa qytetarëve serb, duke u prezantuar si zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe si përfaqësues i organizatës për të sëmurët me diabet.

Sipas kësaj akuze, i akuzuari Antiq paraprakisht u ka marrë shuma të ndryshme parash, si të dëmtuarit Radomir Repanoviq shumën prej 7000 euro, të dëmtuarit Srgjan Radenkoviq shumën prej 2000 euro, Momir Radenkoviq 5000 euro dhe shumë të tjerëve u kishte kërkuar para për punësimin e tyre, por për shkak të shumave të larta nuk kanë pasur mundësi t’ia japin.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë, më 12 korrik 2018, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në mënyrë të paautorizuar, në atë mënyrë që pistoletën e tipit “CZ Vzor 50”, 7.65 mm, me një karikator e ka dërguar përmes postës së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, e ka futur në një pako dhe e ka dërguar në emër të Radomir Repanoviq në fshatin Osojan, ashtu që i njëjti armën e ka lajmëruar në polici, e cila edhe është konfiskuar.

Të ngjashme