Masat kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit, përfshirë përdorimin e detyrueshëm të maskave, janë kthyer në Holandë në përpjekje për ta ulur shkallën e infeksioneve në shtetin me rreth 17 milionë banorë.
Lajmin e bëri të ditur të martën Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, duke shtuar se përdorimi i pasaportave të Covid-it nga e shtuna do të kërkohet edhe në muze, salla të ushtrimeve dhe në parqe rekreacionale, shkruan Independent.
Në një konferencë për gazetarë, Rutte tha se “askush nuk do të befasohet që përsëri kemi një mesazh të fortë sonte, të fortë sepse fatkeqësisht na duhet që tani t’u kërkojmë më shumë njerëzve tani që numrat e infeksioneve dhe spitaleve janë duke u rritur shpejt”.
Vendimi i qeverisë për ashpërsimin e masave erdhi pasi Instituti Kombëtar për Shëndet Publik dhe Mjedis raportoi për rritje të numrit të pacientëve në spitale për 31 për qind në bazë javore, ndërsa numri më i madh i të hospitalizuarve janë persona të pavaksinuar.
Si pjesë e ndryshimit të masave, përdorimi i maskave do të kërkohet përsëri në hapësirat si dyqanet dhe për nxënësit që e ndjekim mësimin fizikisht në shkolla. Njerëzit po këshillohen që të punojnë nga shtëpia të paktën gjatë 50 për qind të kohës.
Rastet me Covid-19 në Holandë kanë shuar rritje nga fundi i shtatorit, kur autoritetet i shfuqizuan shumicën e masave për distancë sociale.
Të martën, autoritetet shëndetësore rekomanduan që personat e moshuar ta marrin dozën përforcuese të vaksinës kundër Covid-19.