Shteti planifikon të ndajë 9 milionë euro për të “ndihmuar” kompanitë ajrore

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Nëntë milionë euro për tre vjet të buxhetit të shtetit do të përfundojnë në llogari të kompanive ajrore.

Ministria e Infrastrukturës në fund të muajit shtator ka marrë vendim që të “nxisë” tregun e kompanive ajrore. Planifikohet që çdo vit të ndahen nga 3 milionë euro për këto kompani, shkruan sot Koha Ditore.

Siç ka marrë vesh gazeta, përfitimi do të shkojë bazuar në numrin e biletave të shitura dhe numrin e linjave të fluturimit. Bazuar në këtë, i bie që fitimin më të madh ta kenë kompanitë që kanë numër më të madh të udhëtarëve.

Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se ky program do të “rrisë të hyrat në Kosovë”, si dhe biletat do të jenë me çmim më të favorshëm.

Drejtori i Departamentit të Aviacionit Civil, Ismail Berisha, në një përgjigje të gjatë dhënë gazetës ka sqaruar se si do të zhvillohet “projekt-propozimi për fuqizimin e programit nxitës për zhvillimin e transportit ajror në Republikën e Kosovës”.

Sipas Berishës, shuma e caktuar e nxitjes për një vit shpërndahet në bazë të një koeficienti vjetor të nxjerrë nga shpërndarja e nxitjes për numrin e përgjithshëm të pasagjerëve të kompanive ajrore të pranueshme sipas efektit të shumëzimit.

“Ne besojmë fuqimisht se ky program nxitës i rritjes së trafikut, i mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë një faktor kyç që siguron konkurrencë të ndershme dhe të qëndrueshme të aeroportit tonë në rajon, duke iu siguruar udhëtarëve tanë zgjedhjen e mëtejshme të destinacionit dhe frekuencës dhe duke prekur në mënyrë indirekte dhe pozitive edhe çmimet e biletave dhe ritmin e rritjes së numrit të pasagjerëve të ANP-së”, ka thënë Berisha. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme