A mund të bëhet Ukraina vendi i madh i radhës që do të dëshmojë fitoren zgjedhore të një kandidati “autsajder”? Bota është mësuar me triumfe të tilla të papritura, në kohën kur kaosi politik dhe pasiguria e përgjithshme po shtrihen gjithandej botës.
E kemi parë në Francë me fitoren e Emmanuel Macronit, në Itali me ngritjen e përnjëhershme të lëvizjes Pesë Yje dhe në Shtetet e Bashkuara me ardhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë të Donald Trumpit. Në prag të zgjedhjeve të 31 marsit në Ukrainë, bujë po bën fushata e aktorit komik anti-establishment, Volodymyr Zelensky, i cili po prin në anketime, shkruan sot Koha Ditore.
Kandidat jokonvencional
“Zelensky kundër sistemit … një komik kundër shtetit të korruptuar në Ukrainë”, është mënyra se si Alexander Motyl, ekspert ukrainas në Universitetin amerikan Rutgers, e përshkruan kandidatin jokonvencional. Është hera e parë që ukrainasit do të zgjedhin një president të ri prej ngjarjeve historike të vitit 2014. Ish-presidenti pro-rus, Viktor Yanukovich, ishte rrëzuar nga pushteti në shkurtin e vitit 2014 me Revolucionin e Maidanit, që mori jetën e më shumë se 100 ukrainasve. Pastaj pasoi aneksimi rus i Krimesë dhe një kryengritje separatiste pro-ruse në rajonin lindor të vendit.
Brenda javësh, një prej oligarkëve më të pasur të Ukrainës, magnati Petro Poroshenko, fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme në majin e vitit 2014 në raundin e parë me 55 për qind të votave. Ishte një fitore e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh historinë e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainën demokratike pas pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik në fillim të viteve nëntëdhjetë. Presidenti ukrainas ka pushtet të madh në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme të vendit. Kështu që ai ose ajo është pjesë e një sistemi që përshkruhet si gjysmëpresidencial – sipas modelit sovjetik.
Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se pesëdhjetë për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, dy kandidatët me më së shumti vota do të maten edhe njëherë më 21 prill në raundin e dytë.
Luftë në dy fronte
Sot, shumë ukrainas vazhdojnë të kenë jetë të varfër dhe të zhgënjyer me politikanët që kanë qeverisur deri tani. Kishin shpresuar se do të shihnin gjendje më të mirë ekonomike dhe se do të kishte luftë të vendosur kundër korrupsionit pas kryengritjes politike të vitit 2014. Sektorët kryesorë ekonomikë – sidomos energjia dhe industria e rëndë – vazhdojnë të mbesin në duar të oligarkëve të fuqishëm mjaftueshëm sa për të përcaktuar çmimet dhe sfiduar këdo që guxon të kontestojë sistemin aktual. Rusia dhe Bashkimi Evropian po i shikojnë me sytë katër zgjedhjet e së dielës.
Presidenti i ri do të përballet me një konflikt të ngrirë ndërmjet trupave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit, derisa Ukraina po mundohet të përmbushë kërkesat e Bashkimit Evropian për të përshpejtuar procesin e integrimit në bllokun ekonomik e politik të kontinentit.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin se 11 për qind e 44 milionë ukrainasve jetojnë në kushte të mjerueshme, sidomos ata që jetojnë në Krime, e cila është aneksuar në marsin e vitit 2014 nga Rusia e presidentit Vladimir Putin. Por Anders Aslund, ekspert i çështjeve të Ukrainës në Këshillin Atlantik, ka thënë se konflikti me Rusinë “nuk është kurrfarë faktori” në këto zgjedhje.
“Shërbëtori i Popullit”
Prej 39 emrave që do të jenë në listën e votimit, vetëm një numër i vogël janë politikanë të njohur.
Aslund thekson se “shumica prej tyre duan që të bëhen të njohur për vete për zgjedhjet parlamentare të tetorit”. Ai mendon se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse i janë përvjelë garës zgjedhore presidenciale të fundjavës megjithëse e kanë ditur se nuk do të kenë kurrfarë gjasash për të dalë një prej dy garuesve që do të votohen në raundin e dytë të prillit. “Por ka edhe një faktor tjetër: është garë që nuk kushton shtrenjtë për ta provuar”, thekson Aslund.
Kandidati i ri që po bën emër në media është Zelensky, 41 vjeç. Në muajt e fundit është kthyer në kandidatin kryesor, tregojnë të dhënat e anketimeve. Ai llogaritet se do të fitojë 25 për qind të votave në raundin e parë. Ai synon që emisionin e tij televiziv në realitet politik: ai paraqet një qytetar të rëndomtë që ngrihet në presidencë duke luftuar korrupsionin, në seritë “Shërbëtor i Popullit”. Ai emision është më i shikuari në kanalin “1+1”, në pronësi të miliarderit Ihor Kolomoisky, kundërshtari më i njohur i presidentit Poroshenko. Andaj komiku shihet si njeri i lidhur ngushtësisht me të.
Shumëkush e akuzon se po përdoret për ta goditur tërthorazi presidentin aktual. Zelensky ka bërë fushatë kreative moderne politike, duke u bazuar kryesisht në media sociale, thekson Auslund. Por ka shqetësimet për mungesën e shkathtësive të tij politike.
Ndryshe
“Është krejt ndryshe – ai po u drejtohet votuesve të rinj, të moshës më të re se 40 vjeç. Nuk ka ndonjë program të detajuar, por nuk është populist”, ka thënë Auslund, duke e përshkruar aktorin komik si “më shumë si Macroni sesa si Trumpi”. Presidenti Poroshenko, 53 vjeç, ka sloganin “Ushtria, gjuha dhe besimi!” – thirrje për ukrainasit nacionalistë dhe konservativë. Në mesin e arritjeve të tij, thekson ai, është mbështetja për ushtrinë, e cila ka mbajtur nën kontroll militantët pro-rusë në Donbas. Ai gjithashtu përmend Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave dhe pavarësimin e Kishës Ortodokse Ukrainase pas shekujsh nga Kisha Ortodokse Ruse.
Por fushata e tij është sulmuar nga akuzat për korrupsion, përfshirë skandalin për një tender të sektorin e mbrojtjes ushtarake. Aslund mendon se ai nuk përbën figurë që mund të krenohet për luftim korrupsionin. Mendon se edhe Perëndimi po tregohet i matur me të në prag të zgjedhjeve. Në një raport të Komisionit Evropian lavdëroheshin disa prej reformave që janë ndërmarrë nën lidershipin e Poroshenkos.
Por reformat po shkojnë shumë ngadalë, thuhet ndër të tjera në raport. Anketimet tregojnë se mbështetja për të është e përafërt me atë për Yulia Tymoshenkon, 58 vjeçe, ish-kryeministren, që ka 13 për qind të përkrahjes popullore. Mendohet se ajo mbështetet nga femrat dhe pleqtë, sidomos ata nëpër fshatra.
Ajo është munduar të përplaset me komikun Zelensky, duke e quajtur si mbetje nga epoka komuniste. Ka thënë se është njeri kreativ, “por i pashije”. Ai ia ka kthyer menjëherë duke thënë se ajo është njeri “shumë i hidhur”. Votuesit më pro-rusë besohet se do të votojnë për kandidatin e Partisë Radikale pro-ruse. Votat do të merren kryesisht në lindjen e kontrolluar nga separatistët prorusë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të mundë të ketë zgjedhje edhe në këtë pjesë.
Ndërkohë shumë vota pro-ruse nuk do të mundë të llogariten për shkak se Krimeja tashmë është rajon që kontrollohet nga Rusia. Anketimet tregojnë se kandidati që ka shprehur hapur mbështetjen për Rusinë, Yuriy Boyko, 60 vjeç, është i katërti. Ai ka thënë se do të “normalizonte” marrëdhëniet me Rusinë – fqinje që ka dominuar pjesën më të madhe të historisë së Ukrainës.