Shtyhet në afat të pacaktuar gjykimi ndaj të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Prishtinë | 16 Mar 2020 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Procesi gjyqësor ndaj të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili duhej të vazhdonte sot, është shtyrë për një afat tjetër. Kështu i ka thënë portalit në gjuhën serbe “Kosovo Onlajn” avokati Dejan Vasiq, transmeton Koha.net. 

Procesi gjyqësor ishte paraparë të mbahej sot nga ora 9 e 30 minuta në Gjykatës Speciale në Prishtinë. Por, avokati Vasiq thotë të ketë marrë njoftimin për shtyrjen e tij në afat të pacaktuar nga gjykatësi që i prin këtij procesi. 

Këtë njoftim thotë ta ketë marrë edhe avokati i Marko Roshiqit, Mahmut Halimi. 

Gjatë procesit të sotshëm ishte paraparë që gjykata të deklarohej në lidhje me negociatat dhe kërkesat e mbrojtjes që aktakuza të hidhej poshtë, meqë siç kanë deklaruar më herët avokatët nuk ka fakte me vlerë që do të konfirmonin veprën e cila u vihet në barrë serbëve të akuzuar.  

 Lideri i Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” Oliver Ivanoviqi u vra para plot 26 muajsh para lokaleve të partisë që e drejtonte në pjesën veriore të Mitrovicës.

Të ngjashme