Shtypet nga treni edhe një banor i fshatit Radushë

Prishtinë | 31 Kor 2016 | 09:46 | Nga

Treni mori jetën edhe të një banori të fshatit Radushë. Profesori Bujar Osmani, humbi jetën pas aksidentit që kishte të premten, në dalje të fshatit. 32 vjeçi Osmani, la pas një fëmijë, dhe gruan me barrë, që pritet të lind për pak javë

Mungesa e shenjave të sinjalizimit, dhe të rampave bënë që banorët e kësaj ane çdo ditë të përballen me rrezikun e përplasjes me trenat.

Kryetari i bashkësisë lokale në Radushë, Avdil Mejdiu, shprehet se për mungesë të sinjalistikës së duhur, pësoi profesori.

Madje, ai thotë të jetë i bindur se në natën e aksidentit, semafori nuk ka funksionuar.

“Nuk është rasti i parë. Edhe mua më ka ndodh kjo, atëherë nuk ka pas asnjë sinjalizim, po askush nuk më ka dëmshpërblyer. Edhe pse jemi të siguruar, këto nuk paguajnë as dëmshpërblim. Edhe në këtë rast, nuk besoj që semafori ka punuar”, u shpreh Avdil Mejdiu.

Adis Nazifi thotë se kanë kërkuar nga të gjitha institucionet, duke filluar nga komuna e deri tek ministria e Transportit dhe Lidhjeve që të vendosen rampa, por askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Përveç që pësoi vet aksident në hekurudhë, ai thotë se edhe prindërit e tij gjithashtu janë përplasur nga treni në po këta binarë.

“Ky është rasti i katërt që di unë që ka ndodhur nëpër këto kalimet hekurudhore. Unë kam përjetuar, gjithashtu edhe prindërit e mi që kanë pas një ndeshje në vitin 2000, më poshtë në vendkalimin hekurudhor afër fshatit. Problemi më i madh është se shumë pak janë të siguruara të gjithë vendkalimet nëpër fshatin Radushë që kalojnë gjithashtu edhe në fshatrat tjerë. Ne si fshat kemi bërë kërkesa, duke filluar nga të gjitha institucionet, komuna, gjithashtu edhe tek rrugët e Maqedonisë për mirëmbajtjen dhe sigurimin e këtyre rrugëve! Po ashtu, kemi bërë kërkesë edhe tek Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, mirëpo deri tash siç mund edhe ju ta shihni, ne nuk kemi siguri prandaj edhe ndodhin edhe këto ngjarje që na ndodhin vazhdimisht brenda viteve! Ne kemi çdo dy tre vite nga një ndeshje nga ana e trenit”, tha Adis Nazifi

Fshati Radushë ka rreth 2600 banorë, ndërsa shumica e banorëve të kësaj ane punojnë në kryeqytet.

Kurse, për të arritur në lagjen më të afërt, duhet të kalojnë 4 vendkalime hekurudhore.

Asnjë prej këtyre vendkalimeve mbi binarë, nuk ka rampë mbrojtëse për të parandaluar trafikun, në kohën kur andej kalon treni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme