Shtyrja e Testit të Maturës rrezikon vitin akademik për studentët që duan studime jashtë vendit

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Shtyrja e testit të Maturës Shtetërore po paraqet problem për shumë student që dëshirojnë të vazhdojnë studimet jashtë vendit.

Mos koordinimi i Ministrisë së Arsimit me vendet tjera mund t’u kushtojë studentëve me humbjen e një viti akademikë.

Sokol Karabaxhaku është një nga shumë studentët kosovarë që studimet dëshirojnë t’i vazhdojnë jashtë vendit, mirëpo shtyrja e mbajtjes së testit të maturës po i rrezikon atij mbajtjen e vitit akademik.

“Unë dhe një shok I imi jemi pranuar në një fakultet shumë të mirë në Holandë, me ç’rast i kemi plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga universiteti. Por ekziston edhe një kushte që ne duhet ta plotësojmë. Na kërkohet diploma e testit të maturës për lëndët matematikë dhe fizikë dhe këtë diplomë duhet ta kemi deri në fillim të muajit gusht”, deklaron për RTV Dukagjinin Sokol Karabaxhaku.

Ai thotë se për problemin në fjalë e kanë kontaktuar edhe universitetin në Holandë por ata u kanë dhënë vetëm një mundësi: të vijojnë studimet nga viti tjetër akademik.

“Ne kontaktuam me universitetin por ata na ofruan vetëm opsionin që ta humbim një vit akademik dhe të fillojnë studimet nga viti tjetër. Nuk e di nëse problemet e njëjta do t’i hasin edhe nxënësit që do të fillojnë studimet në Kosovë, por kam edhe shokë e shoqe tjera që hasin të njëjtat probleme me universitetet në Evropë dhe Turqi”, tha më tej Karabaxhaku.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në një përgjigje për RTV Dukagjinin thonë se janë në dijeni të një problemi të tillë për të cilin do të reagojnë shumë shpejt.

Të ngjashme