Shuhet aktori Rutger Hauer, ylli i filmit “Blade Runner”

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Aktori holandez, Rutger Hauer, i njohur më së shumti për rolin e tij të keqbërësit kryesor Roy Batty në hit filmin ‘Blade Runner’ nga viti 1982, ka vdekur në moshën 75-vjeçare.

Vdekjen e Hauer e konfirmoi agjenti i tij. Ai tha se aktori ka vdekur në vendlindjen e tij në Holandë, pas një sëmundjeje të shkurtër. Funerali ishte mbajtur më 24 korrik.

Hauer ka lindur në qytetin Breukelen në Utrecht. Nëna dhe babai i tij ishin aktorë dhe ligjërues të dramës. Ai i kishte tre motra. Rolin e parë televiziv e kishte në serinë Floris, shkruan KOHA Ditore.

Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare të aktrimit, Hauer i realizoi më shumë se 174 role në seri dhe filma të shumtë. Roli i tij më i shquar është në filmin legjendar ‘Blade Runner’ me regji të Ridley Scott.

Ai gjithashtu luajti edhe në filmat ‘Sin City’, ‘Samson’, ‘Admiral’, ‘Batman: The Beginning’, ‘Dracula 3D’ ndërsa rolin e shquar e realizoi në serinë ‘True Blood’.

Të ngjashme