Frika nga vdekja është një proces psikoemocional shumë i rëndësishëm për një fëmijë dhe të rriturit nuk duhet ta neglizhojnë, por ta drejtojnë me shumë kujdes fëmijën në këtë “rrugëtim” drejt rritjes. Ky “shqetësim”, frika nga vdekja, fillon që në çastin kur fëmija vjen në këtë botë, por bëhet i dukshëm rreth moshës 4-5 vjeç duke arritur kulmin rreth moshës 8-11 vjeç.
Eksperienca me vdekjen i mëson njeriut jo vetëm kujdesin për të mos humbur jetën, përballjen me të panjohurën, përballimin e vetmisë, por i mëson edhe konceptin kohë.
Prindërit janë dëshmitarë të deklaratave apo pyetjeve të fëmijës të tipit: – “nuk dua të rritem”, “po kur të rritem unë, ti do të vdesësh?”. Fëmija kur “refuzon” rritjen tregon pikërisht frikën nga vetmia dhe përballjen me jetën. Ndërsa, kur bën pyetjen se çfarë do të bëjë prindi kur të rritet fëmija, në fakt kërkon të kuptojë sa më shumë se si zhvillohet ecuria e jetës, çfarë do të thotë të rritesh, çfarë u ndodh njerëzve dhe atij vetë, gjatë kohës që ai rritet.
E keqja nuk është te pyetjet e fëmijës, tek e fundit fëmija është i parritur, por te përgjigjet dhe qëndrimi paragjykues i të rriturit në përgjithësi dhe prindërve në veçanti.
Të rriturit në vend që ta asistojnë e ta qetësojnë duke i treguar dhe shpjeguar procesin e jetës dhe, duke e inkurajuar, se edhe ata, ashtu si ai apo ajo, kanë pasur frikë, i thonë të kundërtën, i thonë: “ti je i madh, nuk duhet të kesh frikë, se është turp”. Pa u menduar dhe shkuar në mënd se si e përjeton fëmija këtë ngjarje në këtë fazë të jetës, ku frika është “shoqërues i pandarë”.
Kjo mënyrë të foluri e të rriturit, e ndrydh fëmijën dhe e bën të heshtë. Mospranimi i frikës, etiketimi i fëmijës si frikacak, mbyll rrugët e komunikimit i rritur-fëmijë. Të rriturit mendojnë se duke ja mohuar frikën fëmijës, e qetësojnë atë. Të rriturit që reagojnë me këtë sjellje, i transmetojnë fëmijës, ndjesinë e keqe dhe frikën e tyre nga vdekja.
Fëmija, është e vërtetë, që i duhet kohë t’i kuptojë gjërat, por ndjesitë dhe pasiguritë e të rriturit i përfton edhe përpara vetë të rriturve. Të rriturit duhet t’i tregojnë fëmijës, se të gjithë kanë frikë, të mëdhenj e të vegjël dhe nuk është turp të kesh frikë.
Falë frikës mësojmë të kujdesemi për veten, por edhe të bëjmë më të mirën. Vetëm ai që ka frikë dhe e njeh atë, bëhet trim. I rrituri duhet t’i thotë fëmijës me kurajë se njeriu falë “frikës nga vdekja” ka mësuar ta përdor më mirë jetën dhe veten. Falë saj ka krijuar shkencën për të zgjatur e lehtësuar jetën e tij. (Ilira Gjika/ Revista Psikologji)
*Autorja është mjeke pediatre