Si u festua Viti i Ri në vendet e rajonit

Prishtinë | 01 Jan 2018 | 02:12 | Nga

Qytetarë të shumtë të mbledhur në sheshet kryesore të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës kanë pritur ndërrimin e viteve në një atmosferë festive.

Edhe kësaj radhe kremtimi i Vitit të Ri është shënuar në kryeqytetet e këtyre vendeve, Shkup, Tiranë dhe Prishtinë.

Me një pamje spektakolare me ndezjen e fishekzjarrëve që krijuan drita shumëngjyrëshe mijëra qytetarë të tubuar në sheshe dhe rrugët e qyteteve pritën Vitin e Ri 2018, , raporton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqendrën e Maqedonisë, Shkup, qytetarë të shumtë e kanë pritur Vitin e Ri 2018 në sheshin “Jadran” për argëtimin e të cilëve janë kujdesur muzikantët nga Next Time, Aj Kju, Tamara dhe Kristina Arnaudova.

Festën e vitit të ri të cilën e organizoi Komuna Qendër – Shkup, tashmë zgjat dy ditë ndërsa në kuadër të shënimit të sivjemë ishte organizuar programi i vitit të ri për fëmijët, të rinjtë dhe më të moshuarit kurse kremtimi ka karakter humanitar.

Ashtu si në vitet e kaluara, edhe këtë ndërrim vitesh qytetarët e Shkupit dhe qyteteve të tjera të Maqedonisë pritën Vitin e Ri nëpër sheshet dhe qendrat e qyteteve, duke u argëtuar me spektaklin e fishekzjarreve dhe me koncerte të ndryshme festive.

Gjithashtu edhe në sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit nuk munguan fishekzjarret të cilat krijuan një atmosferë festive për qytetarët e pranishëm.

Ndërkohë, qytetarët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, por edhe qyteteve të tjera të vendit kanë pritur ndërrimin e viteve duke festuar në sheshe.

Ashtu siç është bërë traditë në Tiranë është krijuar një atmosferë festive për festën e Vitit të Ri 2018 nga spektakli i fishekzjarrëve.

Me rastin e ndërrimit të viteve, Bashkia e Tiranës ka organizuar një koncert festiv me këngëtarë të muzikës shqiptare, si dhe shfaqjen e fishekzjarrëve në sheshin “Skënderbeu”.

Të mbledhur në shesh, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit, qytetarët kanë pritur momentin e ndërrimit të viteve nën tingujt e muzikës dhe hedhjes së fishekzjarrëve.

Ndërkohë, për të garantuar rendin strukturat e Policisë së Shqipërisë kanë marrë disa masa shtesë.

Gjithashtu me rastin e fillimit të vitit të ri 2018 qytetarë të shumtë të Prishtinës u mblodhën në sheshet e dekoruara me drita shumëngjyrëshe, të cilat sollën pamje mahnitëse në kryeqytet.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës qytetarë të shumtë e mirëpritën këtë festë në një koncert në ambient të hapur, të organizuar nga komuna.

Pak qaste para përfundimit të vitit 2017, në qiellin e këtij qyteti u hodhën fishekzjarre të shumta, të cilat krijuan pamje të bukura.

Përderisa një pjesë e qytetarëve vazhdojnë festimet në shoqërim të këngëve të bendëve kosovarë në këtë shesh, disa të tjerë vazhdojnë argëtimet në lokale të ndryshme të kryeqytetit.

Megjithatë, shumica e qytetarëve kosovarë si tradicionalisht, edhe këtë vit vazhdojnë ta kalojnë këtë natë festive në shtëpitë e tyre, së bashku me familjet dhe miqtë.

Poashtu edhe në vendet tjera të rajonit Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe Kroaci ka mbretëruar një atmosferë festive në sheshet e Beogradit, Podgoricës, Sarajevës dhe Zagrebit ku Viti i Ri është pritur nën tingujt e muzikës dhe spektaklit të fishekzjarrëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme