Femijet e vetem kanë gjithnjë fatin të bëhen të pandashëm nga prindërit. Vëmendja e të dyve shkon vetëm për fëmijën e vetëm që kanë, por jo vetëm, e bëjnë pjesë të të gjitha ambienteve ku janë edhe vetë. Nuk ndodh kaq shpesh që ambientet, njerëzit a rrethanat ku ndodhen prindërit, të jenë nga ato fatlumet ku ka qenë Marioara Çomora, vajza e vetme, arkitektja që do të bëhej më vonë, e përkthyesit dhe komedianit Spiro Çomora.
Këtë vit babai i saj do të bënte 100-vjetorin e lindjes, por në fakt arriti të jetojë vetëm pak vite pas gjysmës së kësaj shifre. Fare pak për atë vetë e për vajzën e tij, që megjithatë i ruan të gjitha kujtimet, mjafton ta nxisësh pak të kthehet në të shkuarën, siç bëjnë shpesh edhe dy fëmijët e saj. Ajo ishte e privilegjuara e të gjithë shokëve të babait, thuajse gjithnjë e pranishme në takimet e shkrimtarëve, e përkëdhelura e tyre do i ruajë sot ato orë të atëhershme si më të bukurat e fëmijërisë së saj. “Vinin kaq shumë njerëz në shtëpinë tonë… Llazar Siliqi, Andrea Varfi, Dhimitër Pasko, Sterjo Spasse, Dritëro Agolli e të tjerë miq e shokë të babait.
Dhe unë, si e përkëdhelura e babit, pata fatin e madh, kur e mendoj tani, të kem qenë në shtëpitë e tyre dhe e përjetoja këtë si një realitet krejt tjetër nga ai i kohës. Në shtëpinë e Stero Spasses, për shembull, një shtëpi 1- katëshe, me oborr e me shumë lule, rrija në studion e tij të punës me bibliotekë të pamat dhe vetë portreti i tij paksa i ngjashëm, më bënte të ndihesha sikur isha në dhomën e punës së Leon Tolstoit”,- kujton Marioara, shkruan “Panorama”. Janë me dhjetëra momentet e saj të mahnitjes nga bisedat e të rriturve edhe në shtëpinë e tyre, sepse vizitat ktheheshin nga të gjithë.
Sot që e kalon të shumtën e kohës mes artit të saj, punëve artizanale që realizon, Marioara, sikurse herë pas here të gjithë ne, vazhdon të jetojë pak në humorin e tregimeve të të atit, ndër të cilat veçojmë “Karnavalet e Korçës” dhe hipotezat se ç’do të kishte bërë sot babai i saj me personazhet që trajtoi dikur. Por si lindi komedia që nuk u harrua e s’do të harrohet ndonjëherë? Si ishte jeta e autorit gjithë humor që la disa nga përkthimet më të mira në letërsinë shqipe? Ç’e bashkonte e ç’e ndante nga miqtë e tij të Lidhjes së Shkrimtarëve?! Jo pa nostalgji, Marioara na çon pak nëpër të gjitha rrugët ku dikur shkeli babai e sot janë të ruajtura në arkivat e fotografive të saj…
-Spiro ka lindur në Korfuz, megjithëse origjina e tij është nga Vunoi. Na tregoni pak për pjesën e parë të jetës së tij…
Po, ka lindur në një shtëpi në Korfuzin e vjetër, ndodhet akoma dhe sot aty, në kryqëzimin e rrugëve të Filotheneve dhe Timokseni, e dëmtuar disi nga pasojat e luftës, po Korfuzi i vjetër i tillë është, i ruajtur, i paprekur, në mënyrë që të flasë më qartë historia e atij vendi. Prindërit e tij kishin një restorant të vogël ku hynin e dilnin e mirëpriteshin me dreka e darka plot shqiptarë, sidomos bregas. Në shtëpi flitej vetëm shqip që të mos humbiste kurrsesi identiteti dhe kështu sikur mbahej ndezur malli për vendlindjen. Ka bërë aty shkollën fillore dhe gjimnazin e përgjithshëm, por kishte filluar të bëhej i dukshëm pasioni i tij për letërsinë sepse poezitë e para i ka shkruar që në moshën 16-17 – vjeçare.
Megjithatë nuk studio për letërsi…
Jo, në vitin 1938 shkoi në Fakultetin e Drejtësisë në Romë dhe u kthye prej andej me dëshirën e madhe të punonte e jetonte në vendin e tij. Zhgënjimin e parë e mori që ditën që u kthye, në portin e Durrësit. I kthyer përfundimisht në atdhe, me vaporin e linjës dhe me shumë libra mbi jurisprudencën, kish me vete dhe shumë libra letrarë, që nga letërsia e antikitetit e deri te ajo e atyre viteve. Homeri-Iliada dhe Odisea… Doganierët e pashkolluar të pushtetit popullor ia mbajtën shumë prej tyre sepse emrat e autorëve të huaj u tingëllonin krejt ndryshe dhe mund te ishin “armiq të pushtetit popullor”. Homeri? Kush është ky Homeri? Ç’punë ke ti me këtë Homerin? “Po Homeri im, është i antikitetit, 2000 e ca vite me parë, s’ka lidhje me partinë!”- u përpoq më kot të shpjegonte babai, por librat ishin hedhur sa hap e mbyll sytë…
-Ç’ndodhi me të që e la drejtësinë për letërsinë?!
Pas kthimit, emërohet gjykatës në Gjykatën e Elbasanit. Punoi me shumë dashuri për profesionin e juristit, me gjithë vështirësitë që ka vetë profesioni, sidomos në diktatin e shëmtuar të kohës. Nga çështjet e shumta me dosjet e të cilave merrej si gjykatës i tyre, i arkivonte situatat nga më të çuditshmet me idenë që një ditë t’i shtjellonte si libër me tregime, duke futur sigurisht dhe letërsi brenda.
Mirëpo, ndërhyrjet e pafund dhe diktati “nga Lart”, që ishte stili i punës së pushtetit popullor, kë të dënoje me aq dhe kaq, kë të falje se është “yni”, etj. si këto, e shkatërruan dëshirën dhe pasionin për të vazhduar me tej, duke e bërë t’i rikthehej thirrjes së brendshme për gjithçka përfshinte profili tjetër, që ndërtoi në vite edhe me shumë pasion e përkushtim, ai i shkrimtarit për fëmijë, i përkthyesit të letërsisë antike dhe moderne, i komedianit etj..
Ndërkohë, në Shqipërinë e pasluftës, u mobilizuan levat e partisë për të hapur kurse kundër analfabetizmit në qytete e sidomos në fshatra. Me një mik të tijin, që kishte studiuar e ishte diplomuar në Paris për jurisprudencë, patën fatin e çuditshëm t’i regjistronin në këto kurse. “Po ne… ne jemi diplomuar në Paris e në Romë, ç’punë kemi ne me këto kurse!”… Hajdeni, hajdeni, se diçka do përfitoni edhe ju… Megjithatë, e në çdo rrethanë, paradokset e atyre viteve ishin të rënda.
-Edhe mamaja juaj ka studiuar në Romë, a u njohën atje prindërit tuaj?
Po, kanë studiuar të dy në Romë, por janë njohur kur janë kthyer në Shqipëri. Mamaja ime, Vangjeli Çomora (Borova) u diplomua për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Romë, por të dy u prezantuan e u njohën këtu, në një galeri pikture, në vitet fill pas Çlirimit, nga një shoqe e dashur e saj, studente edhe ajo në Romë, Zana Bogdo quhej, që i njihte mirë të dy. Gjithçka shkoi mbarë që në fillim dhe ata u lidhën duke u bërë një çift intelektualësh të mirëfilltë, tepër të mirëkuptuar dhe që gjatë gjithë jetës bashkëshortore ishin ndihmë të njëri-tjetrit në punët e tyre krijuese, si frymëzues po dhe kritizerët e parë mes tyre.
-Legjendat thonë se Spiro Çomora shkroi “Karnavalet e Korçës” vetëm pse nuk i dhanë një nuse korçare… Si është e vërteta pas kësaj komedie?
Ka punuar për komedinë “Karnavalet e Korçës” në vitet ’60. Babai e donte shumë Korçën sepse ishte djepi i kulturës së vendit, me Liceun Francez dhe borgjezinë e shëndetshme në më të shumtën e rasteve. Të shkolluar jashtë vendit, ata ishin modeli i rinisë shqiptare arsimdashës të kohës. Por edhe ne atë mjedis, si kudo, gjeje falsitete dhe tipare që nuk përfaqësonin Korçën e vërtetë dhe mbase janë ata që kanë krijuar edhe legjendat.
Babai kishte një mik në Korçë, Niko Kostandini, profesor fizike, tek i cili shkonim shpesh behareve dhe që u bë një ndihmës me rrëfimet e tij, për të krijuar sa më mirë atmosferën e atij qyteti, mentalitetin e tyre dhe botëkuptimin e shoqërisë së viteve ’36-të. Ka shfletuar pafund shtypin e kohës, gazeta dhe revista në mënyrë që të skaliste gjithçka sa më me vërtetësi. Komedia pati suksesin e merituar në të gjitha drejtimet, sidomos sa i përket lojës së aktorëve. Legjenda që qarkulloi ishte e pavërtetë se bashkëshortja ishte me nënë korçare.
Me regjisorin Pandi Stillu, punuan si ata, duke ua lexuar vetë në tavolinë aktorëve pjesën e duke ua shpjeguar çdo detaj për t’u bërë pjesë e natyrshme e aktorëve ai rol. Kam qenë dhe vetë e pranishme në provat e aktorëve, dhe kam përjetuar dashurinë me të cilën aktorët luanin komedinë, u futën secili aq mirë në lëkurën e personazhit sa vetë autori thoshte me kënaqësinë më të madhe “Mua po më duket sikur kanë ekzistuar më parë këta personazhe dhe pastaj unë i kam marrë e kam shkruar komedinë”. E ndalonin njerëz në rrugë gjatë suksesit të komedisë, e ke qarë i thoshin, edhe korçar të ishe… edhe pse je bregas.
-Çfarë do të kishte dashur të bënte më tej babai, nëse do kishte jetuar?
Puna më madhështore e tij ishte përkthimi i vetëm 14 këngëve të para të Odisesë, se aq jetoi, e solli në shqip aq rrjedhshëm dhe qartë dhe sigurisht që donte ta kishte mbaruar, ai dhe të gjithë ne. Me humorin e tij të hollë në shtëpinë tone qeshej pafund. Miku i tij, kompozitori Agim Prodani, sa herë vinte në shtëpi, kënaqej me bisedat me humor e na thoshte kur ikte, “lum ju që e keni në shtëpi me këtë humor”. Po të kishte jetë të gjatë dhe të arrinte kohët e demokracisë, mendoj se do kishte gjetur frymëzim dhe në personazhe “interesante” të kohëve që jetojmë, që do ishin tipike për komedi të pavdekshme.
-Na fusni pak në dhomën e punës së tij…
Në apartamentin tonë, njëra dhomë ishte studioja e punës, kujtoj një tavolinë të madhe me plot sirtarë anës, me një abazhur në njërën anë, makina e shkrimit “Olivetti”, dhe një numër i madh fjalorësh të renditur para vendit ku qëndronte. Se çdo përkthim, që të dilte i arrirë duhej krahasuar me përkthimet në disa gjuhë të tjera. Mbaj mend për një kohë të gjatë se aty rrinte një foto e mikut të tij të mirë, Drago Siliqi, që humbi jetën në një aksident ajror në moshën 33-vjeçare, e varur ne murin karshi tavolinës së punës.
Kolegë të punës letrare ishin shumë, po dhe miq të vërtetë jo pak, në mes tyre Llazar Siliqi, Andrea Varfi, Dhimitër Shutiriqi, Sterjo Spasse, Dritëro Agolli e të tjerë miq e shokë. Dhe unë, si e përkëdhelura e babit, pata fatin e madh, kur e mendoj tani, të kem qenë në shtëpitë e tyre dhe e përjetoja si një realitet krejt tjetër nga ai i kohës. Në shtëpinë e Sterio Spasses, një shtëpi 1- katëshe, me oborr me lule, studioja e tij e punës me bibliotekë të pamat dhe vetë portreti i tij paksa i ngjashëm, më bënte të ndihesha sikur isha në dhomën e punës së Leon Tolstoit.
-A u bë ndonjëherë pjesë e marrëzive të sistemit, a pati ngjarje që e përfshinin në politikë dhe që ndoshta e cenuan?
Jo, punonte krejt i qetë dhe përpiqej të mos përfshihej asnjëherë në çështjet politike, kam letërsinë time thoshte. Madje, për çudinë time, kam marrë vesh shumë vonë se e kanë thirrur në Degën e Brendshme për t’i kërkuar të bëhej spiuni i mikut të tij më të mirë, Dhimitër Shuteriqit, asokohe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. E morën për ditë me radhë dhe këmbëngulën deri sa pas mohimit kategorik të babait, me justifikimin që ai kishte punë, se kishte letërsinë, nuk angazhohej dot në këtë shërbim me peshë, sepse si mund t’ua dilte ndryshe, urdhëruan, që kjo që i kishin kërkuar, të harrohej aty dhe të mos flitej më.