Sigal Prishtina rrezikon me mospjesëmarrje në EuropeCup

Prishtinë | 26 Gus 2016 | 15:09 | Nga Fitore Zena

Nëse nuk bëhet një intervenim i shpejtë në rregullimin e sallave Klubi i Basketbollit (KB) Sigal Prishtina është e detyruar që të zhvillojë lojërat në një shtet tjetër, ose të tërhiqet nga garat ndërkombëtare të FIBA EuropeCup.

Ky problem u ngrit në tryezën e organizuar nga KB Sigal Prishtina, për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për shkak të kushteve të këqija që janë në palestër, e të cilat nuk i plotësojnë asnjë kriter për mbajtjen e garave ndërkombëtare si: të basketbollit, të futsallit e të volejbollit.

Kryetari i KB Sigal Prishtina Blerant Stavileci gjatë diskutimit për problemet me salla tha se “është e papranueshme që pas kaq vjetëve të kemi të njëjtat probleme, të kemi problem me parket e që është kriteri themelor për t’u zhvilluar lojërat.

“Duhet të angazhohemi të gjitha klubet qw ti ndreqim këto salla, që të kemi një imazh më të mirë të qytetit. Të mundohemi të bëjmë një zgjidhje për palestrën…”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ministria e Kulturës e Rinisë dhe Sporteve duhet të bëj një zgjidhje për ndërrimin e pajisjeve të palestrës.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Eroll Belegu, tha se nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje në ato kushte dhe si federatë kanë biseduar me FIBA-në që tri ndeshje të zhvillohen në Mitrovicë, sepse atje janë kushtet më të mira.

“Infrastruktura është e mjerueshme dhe mendoj se shteti duhet të ndërmarr masa në rregullimin e këtyre problemeve”, shtoi Belegu.

Kryetari i Klubit të Futsallit të Prishtinës Fatos Dili, i paraqiti problemet me të cilat ballafaqohet klubi i futsallit me mungesë të sallave për ushtrime.

“Ne përballemi me probleme të terminit të ushtrimeve, kemi vetëm një termin të natës që sportistët nuk mund të ushtrojnë në këtë kohë”, ka thwnw ai.

Të ftuar në tryezë ishin edhe ministri i Kulturës, Rinis dhe Sporteve Kujtim Shala dhe kryetari i Komunës Prishtinës Shpend Ahmeti, por që nuk kanë marrë pjesë, e që do të duhej të ishin pjesë e kësaj tryeze, për ti dëgjuar shqetësimet e atyre që udhëheqin klubet të cilat garojnë.

Sallës i mungojnë shumë gjëra: Parketi nuk është i mirë, semaforët nuk funksionojnë me rregull dhe nuk janë të kritereve ndërkombëtare, zhveshtoret nuk janë të rregulluara mirë, mungon edhe dhoma për teste anti-doping.

Palestra nuk i plotëson asnjë lloj kriteri për lojëra ndërkombëtare.

Klubi Sigal Prishtina nëse nuk intervenon deri në gjysmën e muajit tetor, nuk mund të zhvillohen ndeshjet e FIBA EuropeCup në Prishtinë, por në një shtet tjetër.

Të ngjashme