Në UBT është mbajtur forumi me temë: “Mbrojtja, siguria dhe shëndeti në punë në sektorin e ndërtimit në Kosovë”, i cili u organizua nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës të këtij universiteti.
Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se mungesa e inspektorëve është problem i madh për t’i mbuluar të gjitha territoret dhe të ketë mbikëqyrje të mirë për sigurinë e punëtorit në punë. Ai tha se rreth 20 mijë punëtorë janë të punësuar në ndërtimin e rrugëve dhe kjo ua vështirëson punën inspektoriatit për të kontrolluar të gjitha rreziqet.
“Duhet të punohet shumë, nëse harxhohen milionat për fushata elektorale është më mirë që të harxhohen në sensibilizimin e punëtorëve në punë, sepse kemi vdekje dhe lëndime dhe punëtorët mund të jenë familjarë tanë dhe t’i ruajmë njerëzit se janë njerëzit tanë”, tha Kadriu.
“E di që është shumë e vështirë pasi që jemi shtet ende në formim dhe ligjet janë por nuk zbatohen aq sa duhet, por duhet të punojmë edhe më shumë pasi që kjo temë është shumë e rëndësishme dhe duhet të ketë edhe më shumë debate me tema të tilla”, shtoi Kadriu.
Agim Mullaku, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Përgjegjës për Punë dhe Siguri, tha se siguria dhe shëndeti në punë, në veçanti në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë, është në gjendje aspak të mirë. Ai tha se, sipas statistikave që janë, në sektorin e ndërtimtarisë është numri më i madh i aksidenteve të cilat ndodhin nga rënia e lartësisë.
“Punëtori paraprakisht duhet të jetë i njohur me të gjitha burimet e mundshme potenciale që mund të rrezikojmë shëndetin në vendin e punës e këtu mund të jenë ngarkesa, mbajtëset, hapësira e pambuluar, koncentrimi etj.”, tha Mullaku.
Ai tha se trajnimi i punëtorëve është shumë i rëndësishëm, sepse përmes trajnimeve fitohen vetitë dhe shprehitë e mira në punë dhe shprehitë e mira janë vetë jeta, sepse shpeshherë punëtorët thonë që kanë përvojë të punës, por trajnimi jo i mjaftueshëm u kushton me rrezik në jetë në vendin e punës.
Mullaku tha se secili punëdhënës ka për obligim që të marrë masa për parandalimin e masave për rreziqet në punë.
Muhamet Ahmeti, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës dhe se ky fakultet po mundohet vazhdimisht që gjeneratat e reja t’i përgatisin sa me mirë që të jenë të gatshëm në punë për të evituar problemet dhe rreziqet që sjellë punë në ndërtimtari.
“Si fakultet së shpejti do të krijojmë një doracak ku atë do t’ua japim dhe do të jetë në dispozicion për çdo punëtor dhe për kompanitë ku ne të tregohen të gjitha pikat kyçe më të këqija ku e tregojnë më së miri rrezikun në punë”, tha Ahmeti.
Ndërsa, Safet Ymeri nga Qendra e Trajnimeve të KEK-ut tha se në KEK janë zvogëluar dukshem aksidentet dhe vdekjet në vendin e punës.
“Tani në kohën e fundit në 5 vitet e fundit nuk kemi pasur vdekje aksidentale dhe lëndimet e punëtorëve janë zvogëluar dukshëm”, tha Ymeri.
Ai tha se janë duke mbajtur trajnime për punëtorë dhe tregoi se punëtorët kur të vijnë në trajnim thonë që nuk është e nevojshme ky trajnim pasi që kanë prvojë pune, por që pas trajnimit ata janë shumë me të vetëdijshëm për rrezikun në punë.
Ymeri tha se është edhe e obliguar me ligj që edhe kompanitë duhet t’i trajnojnë punëtorët për të vetëdijësuar për sigurinë, mbrojtjen dhe shëndetin në punë.