Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është kundër testimit te mësimdhënësve nga Ministria e Arsimit prandaj zyrtaret e kësaj sindikate kanë paralajmëruar se do të futen në grevë nga shtatori nëse tentohet diçka e tillë.
Nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se askush nuk mund të bëjë eksperimente me mësimdhënësit e Kosovës, prandaj ka kërkuar që të “mos luhet me zjarr”.
“Qëndrimi i SBASHK-ut është që të bëhen kontrolle në orët e mësimit, por jo provime, sepse këta mësimdhënës kanë kryer punë me provime kur kanë përfunduar fakultetet adekuate”, ka thënë Mani.
“Nëse shkojmë në këtë formë atëherë le ta mbyllim fare Fakultetin e Edukimit. Askush nuk mund t’i testojë mësimdhënësit. Ata janë të përgatitur. Ky model është marrë në Shqipëri dhe Maqedoni por në asnjërin nga këto vende nuk ka funksionuar”.
Mani është i bindur se e gjitha kjo po bëhet të “përfitojë diksuh para”.
“Këtu po do dikush t’i marr do para”, ka thënë ai.
“Mësimdhënësit janë për cilësi e jo për eksperimente. Dhe të gjithë ata që janë përgatitur të marrin lekë ta harrojnë këtë punë”.