Sindikata e PTK-së kërkon nga Lumezi pezullimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 11:58 | Nga

Federata Sindikale e PTK-së thotë ta ketë marrë me shqetësimin më të madh lajmin për Vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit me seli në Vjenë e cila e obligon Telekomin e Kosovës që Z-Mobile-it (Devolli Group) t’ia paguaj 26.1 milionë euro, dhënien e 100 000 numrave dhe gjithashtu t’i jepen shërbimet e 3G dhe 4G.

FSP-PTK, përmes një komunikate dërguar mediave, përkujton se para lidhjes së kësaj kontrate në janar të vitit 2009, sindikata dhe punonjësit e PTK-së kanë qenë kundër saj duke i njoftuar të gjitha institucionet relevante se pasuria publike e PTK-së po tjetërsohet nga interesat e klaneve të lidhura me kompaninë “Devolli Group”.

“Me ketë rast ne kishim bërë edhe një peticion të nënshkruar nga të gjithë punonjësit e PTK-së, ku janë paralajmëruar për mos ta nënshkruar ketë kontratë Bordi dhe Menaxhmenti i atëhershëm i PTK-se. Institucionet që janë paralajmëruar atëherë kanë qenë Kuvendi dhe Qeveria që të reagojnë në parandalimin e nënshkrimi të kësaj kontrate të dëmshme për PTK-në dhe Kosovën. Kjo kontrate është e favorshme vetëm për klanet mafioze të cilat nga ajo kontratë presin përfitime”, thuhet në këtë reagim.

FSP-PTK kërkon nga institucionet e drejtësisë që edhe njëherë ta rishqyrtojnë ketë kontratë “me pasoja të rënda jo vetëm për Telekomin e Kosovës por për të gjithë ekonominë e Kosovës sepse ka bazë dhe prova të mjaftueshme që kjo kontratë përmban dispozita që e favorizon Z- Mobile dhe ‘Devolli Groupin’”.

FSP-PTK kërkon nga Prokuroria e shtetit, konkretisht nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi që të përdor autoritetin e vet dhe të bej pezullimin e këtij vendimi “pasi që ekzekutimi i këtij vendimi shkakton dem të madh të pasurisë publike dhe interesit publik”.

“Ky ekzekutim i këtij vendimi mund të sjellë dhe prishjen e rendit publik të paraparë me Ligjin për Arbitrazh dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, theksohet më tej në këtë reagim të FSP-PTK.

FSP-PTK, edhe një herë kërkon hetim të detajuar nga prokuroria e Shtetit të kësaj kontrate, si dhe vendimeve të ARKEP dhe kryesuesit të atëhershëm, Ekrem Hoxha. Po ashtu kërkon nga Bordi i Drejtoreve dhe Menaxhmenti i TK-së ta shkëpus menjëherë Kontratën në fjalë me Z-Mobile (Devolli Group).

“FSP-PTK kërkon nga “Devolli Group” që të heq dorë nga plaçkitja dhe rrënimi i një ndërmarrje publike dhe strategjike për shtetin e Kosovës. Nëse Devolli Group nuk heq dore nga zbatimi i vendimit të Arbitrazhi dhe Qeveria e Kosovës si aksionar nuk merr veprime për parandalimin e këtij vendimit, ne si FSP-PTK jemi të shtrënguar të marrim veprime sindikale dhe të tjera në mbrojte të aseteve të TK-së, të cilat me mundin dhe djersën e këtyre punonjësve janë ndërtuar”, përfundon reagimi i Federatës Sindikale të PTK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme