Sindikatat e arsimit të Evropës angazhohen për mbrojtjen e vlerave themelore

Prishtinë | 16 Mar 2026 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Sindikatat e Arsimit të Evropës do të angazhohen për mbrojtjen e vlerave themelore.

Kështu u tha në takimin e Komitetit të Përhershëm për Barazi i European Trade Union Committee for Education (ETUCE), i organizuar nga Federata Sindicatelor Libere din Invatamant (FSLI), i cili po mbahet në Bukuresht të Rumanisë.

Në këtë takim po marrin pjese edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Kutlurës së Kosovës, ku prezent janë Sekretari i Përgjithshëm Ymer Ymeri, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjollca Shala dhe zyrtarja për marrëdhënie me jashtë Shukrie Gori.

Takimi u hap nga Presidenti i ETUCE, John MacGabhann, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave themelore evropiane – barazisë, përfshirjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut në arsim dhe në shoqëri. Ai nënvizoi se sindikatat e arsimit kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e solidaritetit, në mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe në kundërshtimin e çdo forme diskriminimi, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit, gjinisë apo orientimit.

Në kuadër të agjendës së ditës së parë u diskutua për punën e bërë gjatë vitit 2025 në fushën e barazisë dhe përfshirjes në arsim, si dhe për rekomandimet për sindikatat lidhur me përfshirjen e migrantëve dhe refugjatëve në arsim dhe në profesionin e mësimdhënies. Po ashtu, pjesëmarrësit punuan në grupe për të shqyrtuar udhëzimet e projektit për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuara në sistemin arsimor.

Diskutimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së dytë të takimit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sindikatave të arsimit në Evropë dhe avancimin e politikave të barazisë dhe përfshirjes në arsim./Ekonomia Online

Të ngjashme