Dragan Gjillas, njëri nga liderët e lëvizjes opozitare Aleanca për Serbinë, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, u shpreh skeptik për një zgjidhje “të drejtë” për popullin serb në Kosovë, ndërsa pushtetet në Prishtinë e Beograd i cilësoi kriminele.
“Zëri i Amerikës”: Ekziston përshtypja se çështja e Kosovës i intereson më së shumti bashkësisë ndërkombëtare, Amerikës dhe BE-së, kur bëhet fjalë për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Edhe presidenti i SHBA, Donald Trump i ka shkruar presidentit Vuçiq, edhe BE pret që ai në fakt të jetë ai që do të arrijë marrëveshjen me Prishtinën. Si mendoni ta shkëpusni këtë vartësi të bashkësisë ndërkombëtare me presidentin Vuçiq?
Gjillas: Është e ditur se Aleksandar Vuçiq dhe i gjithë ai ekip ka marrë mbështetje më 2012, krahas premtimit se do të çojë në pavarësinë e Kosovës, se do të përmbushë disa kërkesa që në atë kohë Boris Tadiq dhe disa njerëz në pushtet nuk i kishin pranuar. Një pjesë është përmbushur përmes Marrëveshjes së Brukselit, por, siç e shihni, vazhdon të mos ketë zgjidhje. Problemi më i madh është se njerëzit që jetojnë në Kosovë, sidomos serbët në veri, janë objekt maltretimesh të pushtetit kriminal në Prishtinë, që është i lidhur me pushtetin në Beograd. Krahas kësaj, ekziston një frikë ndër njerëz në pjesën jugore se nëse bëhet një zgjidhje e tillë ekzistenca e tyre do të ishte e pamundur. Siç më kanë thënë disa njerëz me të cilët kam biseduar atje poshtë (kështu e quajnë Kosovën në zhargonin eufemik zyrtarë të Beogradit – v.j), “nuk mund të gjesh zgjidhje në fatkeqësinë e një pjese të popullit”. Bashkësia ndërkombëtare, dihet, mund të vazhdojë të këmbëngulë në qasjen e saj, por unë nuk shoh se ajo jep zgjidhje dhe nuk e shoh se si do të çojë nga qetësimi i tensioneve dhe stabiliteti i rajonit”, është shprehur ai.