Situata epidemiologjike me Covid-19 në Kosovë është serioze

Prishtinë | 02 Nën 2020 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Në takimin e rregullt javor midis përfaqësuesit të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ministrit të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, me partnerët ndërkombëtarë (Misionet diplomatike, Komisioni Evropian, Agjencitë e OKB-së në Kosovë) u diskutua për masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në menaxhim të epidemisë me Covid -19.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, vlerësuan se situata epidemiologjike me Covid 19 në vendin tonë është serioze dhe me tendenca përkeqësimi. Pasi që numri i qytetarëve të prekur me Covid 19 në ditët e fundit arrin 120 të infektuar në 100 mijë banorë. Prandaj, MSH-ja dhe IKSHPK-ja, të cilat janë në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe në mbikëqyrje të zbatimit të masave, nëse do të jetë e nevojshme, do të rekomandojnë dhe do të ndërmarrin veprime shtesë për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Partnerët ndërkombëtarë, shprehen mbështetjen e plotë për masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, si dhe kërkuan angazhim shtesë në monitorimin e situatës. Sipas tyre, nëse do të jetë e nevojshme nuk duhet të përjashtohet edhe ashpërsimi i masave, për të vënë nën kontrollë shpërndarjen e virusit dhe mirëmbajtjen e sistemit shëndetësor.

Të gjitha palët u dakorduan që të intensifikojnë komunikimin me qëllim të rishikimit të gjendjes epidemiologjike dhe në rast nevoje të ndërmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me situatat e krijuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme