SKV: Ministrat dhe rektorët, fajtorë për gjendjen në arsim

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 11:36 | Nga Mehmet Krasniqi

Lëvizja Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim (SKV) ka mbajtur një aksion simbolik para rektoratit, pak para se të shënohet 48-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Studentët kanë vendosur fotografi të rektorëve dhe ministrave të arsimit, duke thënë se ata janë fajtor për gjendjen jo të mirë të Universitetit të Prishtinës.

Edolir Ahmeti, student i Fakultetit të Mjekësisë tha se përvjetorët e gjejnë Kosovën dhe Universitetin të korruptuar dhe të pazhvilluar.

“Pas afër 30 viteve studentët e dalë nga UP-ja u bënë kërcënimi më i madh ndaj regjjmit okupator, të cilët përmes protestave arritën çlirimin e vendit. Mirëpo Kosova sot është në gjendje të rëndë sikurse edhe vet Universiteti. Në përvjetorët e të dyjave, ne shënojmë një Republikë dhe një Universitet të korruptuar dhe të pazhvilluar”, tha Ahmeti.

Ndërsa studentja në Fakultetin Juridik, Berita Abazi, është shprehur se papunësia është problemi më i madh i cili po i shqetëson studentët.

“Meqenëse nuk kemi një ditë ku shënojmë ditën e papunësisë sepse jetojmë çdo ditë në papunësi, në përvjetorin e Universitetit të Prishtinës zgjodhëm të flasim për këtë shqetësim të mash të studentëve. Universitetet po shndërrohen në kampe të të rinjve si injektim për qetësim të të papunëve. Kemi inflacion të diplomave i cili diplomën e shndërron në ngushëllim për papunësinë”, tha Abazi.

Të ngjashme