Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e ka kritikuar topin e përdorur në barazimin e Manchester Unitedit në Ligën e Evropës kundër Club Brugge.
Djajtë e Kuq ishin në deficit fillimisht, por pastaj arritën ta nxjerrin një barazim me rezultat 1:1 nga ndeshja e parë e 1/16 të finales së Ligës së Evropës në Belgjikë, falë golit të 14-të të këtij sezoni të Anthony Martial, transmeton Gazeta Express.
Ndeshja u zhvillua në kushte të vështirë atmosferike, për shkak të erërave të forta, shiut dhe madje edhe breshrit në stadiumin Jan Breydel.
Për këto arsye, Solskjaer ishte i kënaqur që doli nga kjo ndeshje me barazim, edhe pse ai ndiente se moti nuk ishte e vetmja arsye që skuadra e tij s’arriti të marrë rezultat më të mirë nga kjo ndeshje.
“Ishte një ndeshje e vështirë kundër një skuadre të organizuar mirë në kushte të vështirë. Nuk mendoj se ishte ndër ndeshjet më të mira që e ka parë ndokush”, ka thënë Solskjaer.
“Kishte gabime të panevojshme, kishte probleme në përqendrim, por kushtet e fushës dhe topi e bënë ndeshjen edhe më të vështirë. Ju mund ta pyetni cilindo lojtar, ai top nuk të ndihmon aspak kur dëshiron të luash futboll”.
“Ai top është më ndryshe kur luan me të, mund ta merrni edhe ju një dhe ta provoni. Por, është i njëjti top për të dyja skuadrat. Kushtet nuk ishin të mira, e kam fjalën për erën dhe shiun”.