Sot mbyllet panairi “Gratë në Biznes”, sipërmarrëset vlerësojnë rritjen e shitjeve dhe promovimit

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 11:20 | Nga Erza Hetemi

Me interesim të madh nga qytetarët dhe vlerësime pozitive nga gratë sipërmarrëse, panairi “Gratë në Biznes”, i organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), sot mbyll aktivitetin e tij, raporton Ekonomia Online.

Gratë pjesëmarrëse në këtë panair thanë se panairi u ka mundësuar jo vetëm rritje të shitjeve, por edhe promovim më të madh të produkteve, krijim të kontakteve të reja dhe zgjerim të klientelës, duke e cilësuar atë si një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga grate.

Fermerja Shahe Istrefi tha se interesimi i qytetarëve për blerje ka qenë i madh, duke shtuar se ditën e djeshme i ka shitur të gjitha produktet.

“Shumë ka pasur interesim edhe shumë ka interesim. Me të vërtetë dje në katër e gjysmë e kam lënë se i kam përfunduar të gjitha produktet, i kam shitë produktet edhe jam detyruar me shku në shtëpi.”, u shpreh ajo.

Sa i përket ndikimit të këtij panairi në promovimin e produkteve, fermerja u shpreh se i ka tejkaluar pritshmëritë e saj.

“Për mua kanë ndikuar shumë. Me të vërtetë jam duke u befasuar që puna ime është vlerësuar, që s’e kam pritë. Se me të vërtetë thashë punoj dhe kam punuar shumë”, tha ajo.

Edhe sipërmarrësja Kadrie Mustafa u shpreh e kënaqur me ecurinë e panairit.

“Deri tani ka shkuar shumë mirë. Po, ka interesim sepse kemi edhe klientët tanë që sa vite masi punojmë me këto bimë edhe me uthulla”, theksoi ajo.

Ajo theksoi se pjesëmarrja në panaire ndihmon drejtpërdrejt në zhvillimin e biznesit.

“Panairet ndikojnë shumë mirë në rritjen e biznesit tonë sepse po na bëjnë promovim. Kur të del me bë promovime është edhe vlerësimi pastaj më i madh”, u shpreh ajo.

Ndërsa Figen Daka tha se panairi i ka sjellë promovim të madh për punimet artizanale prej lëkure.

“Unë jam e kënaqur. Unë jam e kënaqur sepse unë i kam prodhimet me lëkurë edhe janë pak më të vlefshme, edhe ka gra në Prishtinë që e dinë këtë punë edhe e vlerësojnë këtë punën për lëkurë edhe punë dore. Edhe mendoj që edhe qysh kalon viti, prapë të bëjnë kështu panaire sepse shumë ka sukses për neve”, tha ajo.

Ajo shtoi se panairi e ka ndihmuar të prezantojë biznesin e saj para një publiku më të gjerë.

“Po! Po, shumë! Shumë kam pasur. Edhe e kam bërë reklamën. E kam treguar që jam duke punuar me lëkurë. E kanë njoftur njerëzit shumë. Shumë sukses kam pasur për këtë panair qysh kam ardhur”, u shpreh ajo.

Të ngjashme