Edhe pas katër javëve, jashtë bankave shkollore vazhdojnë të mbeten mbi 300 mijë nxënës të moshave të ndryshme.
Se a do të nisë viti i ri shkollor me 3 tetor në të gjitha institucionet publike të Kosovës, ende nuk dihet.
Kjo do të kuptohet vetëm pas orës 18:00, atëherë kur do të mblidhet Këshilli Grevist për të vendosur për grevën.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, Anëtari i këshillit grevist nga SBAShK-u, Reshit Kushaj.
“Ne ende përfundimisht nuk kemi marrë të dhënat nga të gjitha shoqatat sindikale, ne mendojmë që në orët e pasdites këtë ta përfundojmë, që takimin që e kemi rreth orës 18:00 me kryetarët e niveleve komunale, ne do të kuptojmë të vërtetën dhe mandej do të përgatisim informatën për opinionin”, raportoi ai për Front Online.
Punëtorët e shkollave publike, të udhëhequr nga SBASHK-u, janë në grevë me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj derisa të hyjë në fuqi Ligji për paga.
E kjo kërkesë sipas sindikalistëve erdhi për shkak të rritjes së inflacionit.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës thotë se ligj për paga, që parasheh rritje pagash, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon nisjen e procesit mësimor pa kushte.