Ditën e premte, më 2 shtator, skadon afati për faljen e borxheve publike në Kosovë. Ndërsa sipas njoftimeve, jo të gjithë qytetarët arritën të përfitojnë nga Ligji për faljen e borxheve publike për personat juridik dhe fizik të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008.
Sipas njoftimeve zyrtare, rreth 520 mijë ishte numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro. Por, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, shuma e borxheve të falura ka arritur vetëm deri në 100 milionë euro,.
Qytetarët kanë pasur mundësi që të shlyejnë borxhet që nga shtatori i vitit të kaluar kur vendimi për faljen e borxheve kishte hyrë në fuqi.
Sipas Ligjit për faljen e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, kanë mundur të përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, ka thënë për REL se bizneset dhe qytetarët nuk patën mundësi që të shlyejnë borxhet pas kësaj periudhe.
“Gjendja e rëndë ekonomike e bizneseve dhe qytetarëve e pamundëson që të fshihen këto borxhe. Qytetarët nuk kanë pasur mundësi që t’i paguajnë borxhet pas kësaj periudhe. Qeveria e Kosovës duhet të merren praktikat e mira në vendet në tranzicion ku disa prej tyre kanë bërë shlyerjen e borxheve pa kushtëzime për qytetarët”, thekson Shahini.
Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet afati për faljen e borxheve si dhe të ofrojnë edhe alternativa të tjera me të lehta për shlyerjen e borxheve.
Qeveria, as Ministria e Financave nuk kanë fuqi që të shtyjnë afatin e këtij Ligji, kjo mund të bëhet vetëm më vendim të Kuvendit të Kosovës.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi ka thënë se duke pasur parash nivelin e ulët të shumës së borxheve të falura për këtë periudhë duhet të shtyhet afati dhe të ndërrohen modalitetet.
“Edhe nëse do të ketë shtyrje të afatit duhet të ndryshojë diçka te Ligji duhet të krijohet një formë apo një modalitet i cili në shumë aspekte iu mundëson qytetarëve -borxhlinjve që të përmbushin obligimet e tyre. Propozimi jonë është që të gjitha borxhet deri në vitin 2008 të fshihen përgjithmonë”, ka thënë Rexhepi.
Ndryshe, vetëm në Korporatën Energjetike të Kosovës, nga falja e borxheve kanë përfituar mbi 100 mijë konsumatorë, qoftë më shlyerje automatike apo më ri-programim të borxhit. Kështu kanë thënë zyrtarë të kësaj kompanie, sipas të cilëve, vlera totale e borxhit të falur është rreth 80 milionë euro.
Kurse Kompania e Ujësjellësit Rajonal “ Prishtina” për shkak të fluksit të madh të konsumatorëve për ta shfrytëzuar të drejtën ligjore dhe të përfitojnë nga Ligji për Faljen e Borxheve ka zgjatur orarin e punës.
Arieta Mjeku, zëdhënëse në këtë kompani ka thënë se borxhi i përgjithshëm që konsumatorët kanë ndaj kompanisë që nga pas lufta, është mbi 53 milionë euro, ndërkaq shuma e borxhit që do të falet arrin mbi 23 milionë euro.