Pasi prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve për vepra terroriste kanë dhënë të premten fjalën përfundimtare, Gjykata sot pasdite do ta shpallë aktgjykimin.
Në rastin e njohur si “Badovci”, ku pesë persona akuzohen për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, sot shpallet aktgjykimi.
Në këtë rast të premten është dhënë fjala përfundimtare.
Me këtë rast, prokurorja tha se qëndron pranë aktakuzës dhe se është e bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat ata akuzohen, prandaj kërkoj dënimin e tyre.
Mbrojtësit e të akuzuarve në fjalët e tyre përfundimtare kanë thënë se Prokuroria nuk ka arritur të provojë me prova dhe fakte fajësinë e të mbrojturve të tyre.
Në këtë rast të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.
Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.
Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.