Sot pritet të zhvillohet ndeshja e futbollit midis përfaqësueses së Malit të Zi dhe asaj të Kosovës, e cila do të jetë e rëndësishme për të dyja palët për kualifikimet “Euro 2020”.
Përballja futbollistike midis dy skuadrave ballkanase do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Podgoricës duke filluar nga ora 20:45, transmeton Klan Kosova.
Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA për thirrjet raciste gjatë ndeshjes me Anglinë.
Kujtojmë se Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë këtë të premte, pastaj tre ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë.
Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.
Tashmë janë zgjedhur gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Kombëtareve gjatë qershorit. Ndeshjen mes Malit të Zi dhe Kosovës do ta referojnë gjyqtarë nga Italia.
Gjyqtar kryesor për përballjen mes malaziasve dhe “Dardanëve” do të jetë Daniele Orsato, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Lorenzo Manganelli dhe Giorgio Peretti. Detyrën e gjyqtarit të katërt do ta kryej Michael Fabbri.