Javën e ardhshme pritet që sekretaria e Kuvendit të Kosovës të njoftojë për datën e seancës konstituive, me pikën e vetme të rendit të ditës zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarët.
Në lidhje me ketë temë njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhmedin Spahiu në një prononcim për Indeksonline ka vlerësuar se përafrimi i partisë së Behgjet Pacollit me koalicionin PAN i përket pazareve të tyre personale.
Më tej, ai beson se AKR-ja do t’i bashkohet PAN-it. Mirëpo sipas tij, do të jetë shumë e vështirë që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj t’i “rehatojë” të gjitha interesat brenda koalicionit si dhe ti bëjë një ‘surprizë’ AKR-së.
“Nuk e di kur do të arrihet , por besoj që do të arrihet. Por plani ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së po duket të jetë shumë i vështirë, për shkak që Ramush Haradinaj e ka shumë të vështirë të harmonizojë të gjitha interesat brenda koalicionit PAN pastaj plus të bëjë një ofertë gjeneruese për AKR-në. Kjo është krejt e tëra pse edhe është vonuar themelimi i institucioneve deri më tani, i Kuvendit dhe Qeverisë”,ka thënë Spahiu.
Tutje, ai ka treguar se arsyeja e këtyre përafrimeve të subjektev politike qëndron në faktin se secila parti dëshiron të fitojë një dikaster më tepër se sa që kishte mandatin e kaluar.
“Po, besoj që AKR do t’i bashkohet koalicionit PAN. Arsyeja për shkak se partia e Behgjet Pacollit dëshiron që ta ngritë pazarin. Secila parti politike e ka pazarin e vetë, edhe Nisma-AAK e PDK-ja kanë kësi lloje pazare, madje edhe lista Serpska e ka bërë një të tillë për të arritur që të fitojnë një ministri më tepër se sa që e ka pasur mandatin e kaluar. Unë mendoj se arsyeja pse deri më tani nuk është bërë ndonjë pazar apo futur AKR-ja është se nuk ka pasur pazar adekuat ndërmjet PAN-it dhe AKR-së”, ka përfunduar ai