Spanca: Licencat e Ofruesve të Shërbimeve mediale, me dobësi të shumta

Prishtinë | 13 Mar 2024 | 11:33 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se procesi i menaxhimit të licencave të Ofruesve të Shërbimeve nga KPM-ja është karakterizuar me dobësi duke ndikuar që kriteret për aktivitetet mediatike të mos zbatohen, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Spanca deklaroi se në tetor të vitit 2023, Zyra Kombëtare e Auditimit ka përgatitur planin vetor te auditimit për sezonin 2023/2024 dhe ka dorëzuar ne Kuvendin e Kosovës.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se procesi i menaxhimit të licencave të Ofruesve të Shërbimeve nga KPM-ja është karakterizuar me dobësi duke ndikuar që kriteret për aktivitetet mediatike të mos zbatohen. Shumica e mediave veprojnë pa përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore përgjatë viteve dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, ku për pasojë kemi grumbullim të borxheve. Në grumbullimin e borxheve ka ndikuar edhe mungesa e monitorimit të mediave me kohë dhe në mënyrën e duhur, po ashtu, ndërmarrja e hapave konkret ndaj atyre mediave të cilat nuk zbatojnë kriteret dhe anashkalojnë pagesat e tarifave vjetore”, theksoi Spanca.

Ajo gjithashtu ku shpalosur rezultatet dhe rekomandimet e 5 raporteve të auditimit të performancës, përfshirë Menaxhimin e licencave në Komisionin e Pavarur për Medie.

“Në kuadër të 123 auditimeve, janë përfshirë të gjitha auditimet e detyrueshme ligjore, si: financiare dhe të pajtueshmërisë në gjithsej 86 Organizata Buxhetore, 13 ndërmarrje publike (përfshirë edhe RTK-), si dhe 16 auditime të performancës, si dhe 8 projekte të financuara nga Banka Botërore”, tha ajo

Tutje ajo foli edhe për të gjeturat sa i përket barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në zonat rurale.

“Ky auditim ka nxjerrë në pah se edhe pse Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Agjencia e Punësimit kishin ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore”, shtoi e para e ZKA-së.

Tutje në raport për procesin e Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020 nga Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal në komunat: Skenderaj, Obiliq, Gjilan dhe Graçanicë u tha se komunat e audituara në përgjithësi nuk kanë dokumentuar treguesit e përformancës komunale me dokumente mbështetëse.

Në fund auditorja ka kërkuar që te gjitha institucionet e audituara të bashkëpunojnë ngushtë me ta gjatë procesit të auditimit si dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna.

Të ngjashme