Dhomat e Specializuara të Kosovës do të krijojnë një listë të “Mbrojtësve të Specializuar”, me të cilët administron Zyra e Mbrojtjes, në emër të Administratores.
Ende nuk ka filluar ky proces, përkundër se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u garanton të gjithë të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të drejtën e mbrojtjes përmes “Mbrojtësve të Specializuar” – avokatë të cilët kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit para Dhomave të Specializuara.
“Dhomat e Specializuara do të menaxhojnë procesin për këshilltar të kualifikuar që të aplikojnë për të qenë në listë. Sapo procesi fillon, të gjitha informatat do të publikohen në faqen tonë të internetit,” thonë në Zyrën për Informim pranë këtyre dhomave.
Një i akuzuar ka të drejtën që t’i caktohet Mbrojtës i Specializuar, në rast se kërkohet prej interesave të drejtësisë.
Në emër të Administratores, Zyra e Mbrojtjes administron listën e Mbrojtësve të Specializuar. Kjo zyrë gjithashtu administron një sistem të ndihmës për përfaqësimin juridik të të akuzuarve që nuk zotërojnë, ose zotërojnë pjesërisht, mjete financiare të mjaftueshme. Informacioni mbi kriteret e përfshirjes në listën e Mbrojtësve të Specializuar do të publikohet më vonë në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. (Arbresh.info)