Me tone të forta kanë folur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, kur të martën kanë ritheksuar se autoritetet e Kosovës duhet t’i përgjigjen pozitivisht secilës kërkesë a urdhëresë që u jepet nga Haga, shkruan sot “Koha Ditore”.
Është bërë kjo, në kohën kur të ftuarit për t’u intervistuar nga kjo prokurori janë deklaruar se do të paraqiten vullnetshëm.
Sami Lushtaku është i fundit nga ish-drejtuesit e UÇK-së, i cili ka bërë të ditur se ky organ i akuzës e ka ftuar për intervistë. Arianit Koci është avokat i tij dhe lajmin e ka bërë të ditur të martën, në një komunikatë shtypi.
Ka treguar se në Hagë do të jetë pas një muaji klienti i tij, i cili në luftë e ka drejtuar Zonën Operative të Drenicës dhe vetëm disa muaj më parë është liruar nga akuzat për krime lufte.