Menjëherë pas formimi të Gjykatës Speciale, ishin përmendur muaj të ndryshëm se kur do të fillonin aktakuzat e para, ndërkaq një gjë e tillë nuk ka ndodhur përkundër raportimeve të ndryshme mediatike.
Përkundër që kanë kaluar dy vite që kur Kuvendi i Kosovës ka votuar për Gjykatë Speciale, aktakuzat e para të kësaj Gjykate ende nuk kanë filluar të ngriten.
Menjëherë pas formimi të Gjykatës Speciale, ishin përmendur muaj të ndryshëm se kur do të fillonin aktakuzat e para, ndërkaq një gjë e tillë nuk ka ndodhur përkundër raportimeve të ndryshme mediatike.
Kjo vonesë e aktakuzave të Gjykatës Speciale, sipas analistëve politikë mund të jetë si pasojë e sigurimit të dëshmitarëve, por edhe për shkak të ndryshimit të prokurorit të kësaj Gjykate, vlerësojnë analistët.
Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë pengesë në gjyqësinë e Kosovës, sidomos në rastet e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.
Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, ekziston një numër jo i vogël i dëshmitarëve të vrarë, të cilët ishin dëshmitarë të mbrojtur të proceseve të ndryshme gjyqësore.
Në anën tjetër për dëshmitarët e Gjykatës Speciale tashmë është ngritur një zyrë e veçantë për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar parashikon mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.
“Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare. Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore in camera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Gjykatës Speciale dhënë për gazetën “Bota sot”.
“Gjithashtu, në Ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale dhe gjinore dhe fëmijët. Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës dhe të tjera”.
Në mars të këtij viti Dhomat e Specializuara të Kosovës kishin publikuar Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit. Numri i avokatëve të akredituar është 40.