Aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale gjatë muajit shkurt të këtij viti, pritet që të konfirmohen në fund të kësaj jave. Fjala është për ish-pjesëtarë të UÇK’së në Zonën e Rrafshit të Dukagjinit.
Burime të Gazetës Metro thonë se aktakuzat e muajit shkurt të këtij viti të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të konfirmohen gjatë kësaj fundjave.
Sipas burimeve nga Brukseli, fjala është për Zonën e Rrafshit të Dukagjinit, ku ditëve të fundit janë vërejtura edhe patrullime shtesë të Xhandarmërisë Italiane të KFOR-it si dhe strukturave të tjera të sigurisë në Kosovë.
“Kjo javë pritet të jetë e nxehtë, me lajmet që vinë nga Gjykata Speciale. Stafi i saj është kthyer nga pushimi dhe pret të fillojnë me procedimin e aktakuzave të para nga e premtja e kësaj jave, në vikend e tutje”, ka thënë ky burim i Gazetës Metro.
Ndryshe, muaji gusht është koha kur kalon afati prej gjashtë muajsh, kur Gjykata Speciale duhet të vendosë në lidhje me aktakuzat e para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK’së
Aktakuzat e para në Gjykatë, ishin dorëzuar saktësisht më 24 shkurt. E për të vendosur rreth tyre, sipas Rregullit për Procedura dhe Prova, gjyqtari ka kohë 6 muaj.
Vlen të theksohet se një tjetër aktakuzë është dorëzuar në muajin prill, në të cilën prokurori kishte bërë të ditur se janë të akuzuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kryetari i PDK’së, Kadri Veseli.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte konfirmuar këtë përmes një komunikate për media, ku u tha se akuzohen edhe nëntë persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk u bënë publik.
Publikimi i propozim-aktakuzës u bë vetëm tre ditë para se Presidenti Hashim Thaçi parashihej të udhëtonte për në SHBA, ku nën ndërmjetësimin e emisarit Richard Grenell, do të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vucic./gazetametro.net