Specialja ka njoftuar se është shtyrë konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit në Hagë, raporton Gazeta Express.
Sot është raportuar se nesër do të mbahet në ora 11:00 konferenca e radhës për Thaçin dhe të tjerët.
Kjo datë ka figuruar edhe në orarin që e publikon Specialja.
Mirëpo, pak minuta më parë kjo datë është ndërruar dhe konferenca është shtyrë për datën 16 shkurt.
Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit të jetë në shtator të vitit 2021.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021”, thuhet në pikën e 19’të të kësaj shkrese.
Sipas tyre koha e përcaktuar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë.
“Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur”, thuhet në shkresën e zyrës së prokurorit të specializuar drejtuar gjykatës.
Në të njëjtën shkrese Zyra e Prokurorit të Specializuar thekson se “mbrojtja në mënyrë të përsëritur ka theksuar se përcaktimi i një afati të shkurtër kohore është përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”.