Gjykata Speciale prej sot është edhe ligjërisht funksionale dhe e gatshme për t’i pranuar aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, të cilët dyshohen për “Krime lufte”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman, që nga dita e sotme mund të fillojë me ngritjen e aktakuzave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Kjo meqë para 7 ditësh (28 qershor) Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese shpalli aktvendimin pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale. Me këtë rast u bë e ditur se këto rregulla janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, shkruan “Zeri”.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, pati bërë të ditur se me hyrjen në fuqi të rregullores në fjalë, pas një jave (që nga sot) nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për ngritjen e çfarëdo aktakuze.
Megjithatë, ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese në Kosovë konsiderojnë se puna e Speciales mund të zvarritet, siç është zvarritur deri më tash. E ndonëse konsiderojnë se Gjykata Speciale do t’i prekë edhe zyrtarët më të lartë shtetërorë, ata thonë se nuk do të ketë diçka spektakolare nga i tërë ky proces.