Gjykata Speciale ka rinisur punën në kapacitet të plotë. Gjykatësit e edhe administrata e Dhomave të Specializuara i kanë përfunduar verimet, ndërsa edhe gjatë ditëve të nxehta të verës nuk ka pasur pushim për hetuesit dhe stafin tjetër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Por, nuk është shpallur ndonjë aktakuzë deri tash, shkruan sot Koha Ditore. Në institucionin e drejtësisë, që për mandat ka trajtimin e pretendimeve për krime lufte të pjesëtarëve të UÇK-së, të cilat i ka ngritur senatori Dick Marty, nuk kanë treguar për kohën kur aktakuzat do të ngrihen.
Po kështu, as nëse ndonjë e tillë është parashtruar para gjykatësve.
Joseph L. Hollerhead, zëvendës i Prokurorit të Specializuar, ka treguar për gazetën arsyet pse informata të tilla nuk duhet ndarë me publikun në këtë fazë.
“Siç ka thënë në të kaluarën Prokurori i Specializuar, për arsye ligjore, profesionale dhe etike, ai është i kufizuar në lidhje me atë çfarë mund të thotë tani për tani për punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Për këtë arsye, ai nuk mund të komentojë çështjet si kush, çfarë, kur dhe si në lidhje me hetimet. Ju sigurisht e kuptoni rëndësinë e të qenit aq të kujdesshëm sa mund të jemi për gjithë këtë”, ka thënë Hollerhead, përcjell koha.net. “Ne e kuptojmë dhe e çmojmë nevojën që opinioni të jetë i informuar për çështjet të cilat mund t’i diskutojmë haptas, por ende nuk kemi arritur në atë pikë”.