Balaj e Ramadani besojnë në rezultate pozitive edhe në Ligën e Kombeve

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi Bekim Balaj dhe mesfushori Ylber Ramadani besojnë në vazhdimësi të rezultateve pozitive të Shqipërisë pas fitores që e arritën në miqësoren vëllazërore kundër Kosovës.

Balaj, i cili e realizoi golin e parë te Shqipëria ndaj Kosovës, tha se testi me “Dardanët” ishte serioz, ndërsa ka thënë se grupi ndihet gati për dy sfidat e radhës.

Sulmuesi i Sturm Grazit mungoi në duelet e tetorit, kur Shqipëria barazoi pa gola në udhëtim te Kazakistani dhe Lituania së fundmi, transmeton KOHA.

“Kënaqësi gjithmonë të shënosh për ekipin Kombëtar dhe mendoj që testi që ishte me Kosovën mendoj që ishte një test serioz para dy sfidave që na presin. Bëmë një paraqitje të mirë mund të them dhe realisht ndihemi gati për këto dy sfida”, ka thënë Balaj.

E Ramadani, që luan te Vejle në elitën e futbollit të Danimarkës, që po ashtu luajti si titullar kundër Kosovës, e vlerëson lart grupin. Pavarësisht mungesave në ekip, 24-vjeçari tha në konferencën për shtyp të enjten se secili mund ta zëvendësojë secilin.

“Mendoj që të dyja ndeshjet janë të rëndësishme për neve sepse siç thamë edhe më parë, objektivi jonë është ta kapim vendin e parë dhe duhet t’i fitojmë patjetër këto dy ndeshje. Mungesat mund të na penalizojnë, por edhe këta lojtarë që jemi, besoj që jemi të mirë dhe mund ta bëjmë maksimumin për këto dy ndeshje të tjera”, ka deklaruar Ramadani.

Shqipëria e mbyll edicionin e dytë të Ligës së Kombeve në Grupin 4 me dy ndeshjet e nëntorit kundër Kazakistanit më 15 nëntor, dhe kundër Bjellorusisë më 18 nëntor.

Shqipëria pas katër ndeshjeve ka pesë pikë në vendin e tretë, dy më pak se Bjellorusia e vendit të parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme