Bota e tenisit e entuziazmuar me 15 vjeçaren Gauff

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Ajo as nuk ishte e lindur në kohën kur Venus Williamsi kishte fituar katër turne “Grand Slam”, por amerikanja 15-vjeçare, Cori Gauff, befasoi botën e tenisit kur të hënën në raundin e parë të turneut Grand Slam “Wimbledon” eliminoi idhullin e saj. 

Gauff sapo debutoi në “Wimbledon” dhe u bë tenistja më e re që ka arritur nëpërmjet kualifikimeve të sigurojë pjesëmarrjen. E njohur me nofkën “Coco”, Gauff e mposhti Williamsin 39-vjeçare, me 2:0 në sete (6-4, 6-4), të hënën.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjenjën që e pata pas fitores ndaj Venusit, të cilën e kam edhe idhull. Nuk mund të besoja, por mund të garantoj se kjo është hera e parë në karrierë që kam qarë pas fitores”, është shprehur Gauff për mediumet amerikane një ditë pas triumfit të madh. 

“Kurrë nuk kam paramenduar një gjë të tillë. Unë po e jetoj ëndrrën time për momentin”. Gauff, që renditet e 313-ta në botë, është lindur në Georgia të SHBA-së, më 13 mars të vitit 2004, shkruan sot Koha Ditore.

Babai i saj, Corey, ishte yll basketbolli në kolegj, kurse e ëma, Candy, një atlete premtuese gjithashtu në kohën e saj në kolegj. 

Familja Gauff ka edhe dy djem më të rinj, kurse tashmë disa vjet është zhvendosur për të jetuar në Florida, në mënyrë që vajza e tyre të ndjekë hapat e duhur për t’u bërë teniste e madhe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme