Çekët po përgatiten për “ndeshjen e jetës”, atë ndaj Kosovës

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Ndeshje të jetës po e vlerësojnë në përfaqësuesen e Çekisë në futboll, atë të 14 nëntorit kundër Kosovës.

Ndeshja që do të luhet në Plzen të Çekisë me shumë mundësi do të vendosë se cila prej këtyre dy përfaqësuese do të kualifikohet në “Euro 2020” si e dyta në Grupin A të eliminatoreve.

Derisa Kosova në sfidën vendimtare do të futet e trimëruar pas fitores 2:0 ndaj Malit të Zi, Çekia në Plzen do të mundohet të kthehet te fitorja, shkruan sot Koha Ditore.

Çekia të hënën mbrëma pësoi 3:2 nga Irlanda Veriore në miqësoren e luajtur në Pragë. Çekia të premten kishte marrë fitore të madhe, 2:1 ndaj Anglisë, ndërsa ndaj Irlandës së Veriut kishte startuar me përbërje thuajse krejt tjetër.

Irlanda e Veriut pati një pjesë të parë thuajse perfekte duke udhëhequr 3:0. Në pjesën e dytë çekët bënë ndryshime në formacion dhe ia dolën të shënojnë dy gola. Por humbjen nuk e shmangën dot.

Përzgjedhësi i Çekisë, Jaroslav Shilhavy, ka thënë se pjesa e parë e ndeshjes ka zhvlerësuar performancën ndaj Anglisë. Por Shilhavy nuk është penduar që në përbërjen bazë kishte vendosur dhjetë lojtarë të tjerë, në krahasim me takimin ndaj Anglisë. Ai thotë se ka marrë përgjigjet që i ka dëshiruar për lojtarët.

“Kur duhet të provojmë lojtarë nëse jo tash. Pas një muaji do të kemi ndeshjen e jetës. Atëherë duhet të jemi të qartë se me kë do të luajmë. Po ashtu, edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Shilhavy, duke lënë të kuptohet se ndaj Kosovës do të luajnë lojtarët që siguruan fitoren ndaj anglezëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme