Dorëzohet Gjokoviq, e pranon se ka shkelur masën e izolimit gjatë infektimit me Covid-19

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 14:14 | Nga Ekonomia Online

Tenisti serb, Novak Gjokoviq e ka pranuar se ka gabuar kur ka vendosur të intervistohet nga një gazetar francez, ndonëse ka qenë i infektuar me koronavirus.

Gjokoviq gjithashtu ka pranuar se një anëtar i stafit të tij ka bërë deklarata të rreme para Qeverisë australiane rreth historisë së tij të udhëtimit.

Në deklaratë është thënë se ai nuk ka udhëtuar në 14 ditët e fundit askund, para se të mbërrinte në Australi, mirëpo ai ka qenë edhe në Serbi, para se të nisej nga Spanja.

Megjithatë, Gjokoviq ka insistuar se raportimet tjera rreth aktiviteteve të tij, pas infektimit me koronavirus, janë “dezinformata” dhe se “lëndojnë shumë” familjen e tij.

Ai ka shkruar sot në Instagram, teksa ka adresuar situatën në të cilën gjendet, para se të mbrojë titullin e kampionit në turneun e tenisit “Australian Open”, ndonëse i pavaksinuar.

34-vjeçar ka hyrë në Australi javën e kaluar me një dokument që tregonte se ai është infektuar me koronavirus më 16 dhjetor.

Tenisti është parë pa maskë në një ngjarje të organizuar në Beograd për tenistët e rinj.

Në postimin e tij në Instagram, Gjokoviq nuk ka folur për ndejën që bëri në Beograd, mirëpo ka thënë se e ka kuptuar më 17 dhjetor se është i infektuar, pasi ka marrë pjesë në ceremoni.

Tenisti theksoi se më 18 dhjetor ka anuluar të gjitha planet, mirëpo ka vendosur të japë intervistë për gazetën franceze, L’Equipe dhe të bëjë disa fotografi.

“E kam parë si obligim që të vazhdoj me intervistën, sepse nuk kam dashur t’i dështoj planet e gazetarit, mirëpo kam mbajtur distancën fizike dhe kam pasur maskë, edhe pse më janë bërë fotografi”.

Më 10 janar, një gjyqtar australian ka fuqizuar vizën e tenisit, ndonëse ajo i ishte refuzuar javën e kaluar, pasi tenisti i pavaaksinuar kundër koronavirusit është thënë se ka shkelur rregulloret e Australisë për luftim të pandemisë.

Novak Gjokoviq ka siguruar një dokument mjekësor nga organizata për tenis në Australi, që i mundësonte shmangien e kufizimeve për të hyrë në këtë shtet, pasi ka deklaruar se është infektuar me koronavirus muajin e kaluar.

Ministri australian për Migrim, Alex Hawke, ka paralajmëruar se është duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të fuqisë ekzekutive për ta dëbuar Gjokoviqin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme